Manastiri i Deçanit



Manastiri i Deçanit

Prononcimi i historianit Shkodran Imeraj per Agjensinë Anadolu rreth Manastirit të Deçanit. Deklarata e tij sjell elemente të reja dhe të shumta rreth historisë së manastirit, si identiteti i skultorit dhe arkitektit qe ka marrë pjesë në ndërtimin e kishës, dokumentët dhe kristobulët e falsifikuar të klerit serb, si dhe për kërkesat pronësore të pabaza të Sava Janiqit mbi pronësinë e manastirit.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka reaguar ndaj deklaratave të atit Sava Janiq, Igumenit të Manastirit të Deçanit, lidhur me histografinë dhe pretendimin për madhësin e pronës së manastirit, si dhe faktit që gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), ai e ka ndihmuar popullatën shqiptare, të Deçanit. “Për hir të korrektësisë dhe të vërtetës historike, të bazuar në fakte dhe argumentet të cilat i disponon Lidhja e Historianëve të Kosovës, të mbështetura edhe në histografinë ndërkombëtare, kemi reaguar në faktet e paraqitura nga Igumeni i Manastirit të Deçanit” tha për Anadolu Agency, kandidati për titullin e Doktorit të Shkencave në Universitetin e Tiranës, Shkodran Imeraj.

– Manastiri i Deçanit i rindërtuar mbi themelet e një kishe ilire nga gurskalitësi shqiptarë, Fra Vita Kuçi nga Kotorri –
Dyndjet serbe apo dyndjet sllave siç njihen në histori, sipas informacioneve konkrete të histografisë shqiptare dhe asaj botërore, kanë sjellur serbët në Gadishullin Ballkanik në shekullin IX dhe jo siç pretendon histografia serbe, dy shekuj më herët, thotë Shkodran Imeraj duke rrëfyer se, me ardhjen e pushtuesve të ri, dinastisë serbe, ata kanë përvetësuar gjithçka çka ata pushtuan si territor dhe me këtë rast kanë përvetësuar prona dhe institucione fetare, duke përfshirë edhe manastirin.
“Manastiri i Deçanit është i rindërtuar mbi themelet e një kishe ilire, pasi që zona ku ndodhet Manastiri i Deçanit, disa metra në perëndim shtrihet lokaliteti i vjetër arkeologjik i cili nuk është i hulumtuar në detaje dhe që quhet Kulla e Qelisë, ku është një lokalitet arkeologjik që dëshmon se kjo pjesë ka qenë e populluar para se të popullohet pjesa e Deçanit dhe Rrafshit të Dukagjinit. Aty i kemi informacionet e para të një qytetërimi ilir” thotë Imeraj dhe shton se informata e dhënë për emrin e mjeshtrit që e ka rindërtuar manastirin është e pasaktë.
“Manastiri i Deçanit është i rindërtuar që nga viti 1327 deri në vitin 1335 dhe ëshhtë rindërtu në themelet e një kishe ilire nga ana e Fra Vita Kuqit, në tokën e Hak Kuqit nga Deçani. Fra Vita Kuqi ka qenë një gurskalitës shqiptar me origjin nga Kotorri (Mali i Zi). Ai bashkë me 30 gurskalitës të tjerë fillon dhe e rindërtojnë Manastirin e Deçanit për t’i kryer rritet fetare popullsia vendase.”
Duke e shpjeguar historinë e ndarjes së Perandorisë romake në dy pjesë, në atë të Lindjes, me qendër në Konstantinopoj (Stambollin e ardhshëm) dhe Perandorinë Romake të Perëndimit me qendër në Romë, historiani Imeraj shpjegon se tokat shqiptare që ndodheshin përtej Adriatikut dhe Detit Jon, kaluan nën sovranitetin e Perandorisë Bizantine ndërsa, më 1054, kur vjen deri tek ndarja e Kishës në dy rite, atë ortodoks dhe katolik, shqiptarët i takuan ritit ortodoks dhe gjatë mesjetës, ruajtën fenë ortodokse si besimin e vet fetar.
Imeraj këtë e argumenton me Defterin e Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, dokumentacion turk i botuar në Tiranë , në vitin 1974 nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, ku hasën emrat shqip si: Gjon, Gjin, Lekë, Kol, Gegë, Progron, Tole, Lesh apo Llesh, Bardo, Kolsh, Gectë, Tanush, Bushat, Lulo, Mazrek, Pal, Dukë, Kal, etj. Sipas tij, këta janë emra autokton ortodoks shqiptar dhe nuk kanë të bëjnë me pretendimet e histografisë serbe se kinse Kosova është ripopulluar me popullsi shqiptare.
– Kristobula e Manastirit të Deçanit , fillim i sherrit –


Kristobuli i falsifikuar i manastirit të Deçanit
Manastiri i Deçanit kishte përfunduar së rindërtuari, në vitin 1335, ndërsa pesë vite më herët kemi Kartën e cila njihet si Kristobula e Manastirit të Deçanit.
“Sipas disa informacioneve , që ne i disponojmë dhe janë zbuluar tash në Francë, Karta e Deçanit apo Kristobula e Manastirit të Deçanit është një dokument i falsifikuar pasi që ndodhet në katër versione” thotë Imeraj duke shtuar se katër versionet sjellin katër informacione të ndryshme për popullsinë vendase të Deçanit, ku njëra ndër to thotë se, kjo pjesë ka qenë e populluar me popullsi serbe dhe shqiptarët kanë qenë të ardhur, mirëpo këtë e përgënjeshtron Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut së Shkodrës 1485.
“Kjo demantohet me anë të dokumenteve osmane, pasi që dokumentet apo Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut së Shkodrës i jep në detaje të dhënat për gjithsecilin fshat dhe vendbanim , si dhe për Manastirin e Deçanit, për sa i përket ardhjes apo prejardhjes serbe në Deçan” thotë Imeraj duke demantuar edhe pohimet për etimologjinë e emrit Deçan, që sipas serbëve buron nga kupola e Manastirit dhe thotë “Po të rridhte emri Deçan në vitin 1330 apo 1335, po ta kishte marr emrin sipas kupolës së manastirit të Deçanit atëherë si është quajtur Deçani në lashtësi?”
Ai thotë se ky është një pretendim jo i bazuar në fakte sepse Deçani është i banuar që në kohën ilire dhe kjo dëshmohet me anë të lokaliteteve arkeologjike të cilat janë në terren dhe të cilat mund të shihen ndërsa emri Deçan rrjedh nga trajta e fjalës ‘dash’ apo ‘desh’ sepse Deçani në kohën ilire është shquar për prodhimtari blegtorale. Këtu ai i referohet punimeve të akademik Mark Krasniqit, si dhe studiuesi Muharrem Carrabregu në librin “Hartografia 2”.
– Manastiri i Deçanit kurrë nuk ka pasur 700 hektar tokë –

Lidhur me madhësinë e pronës së Manastirit të Deçanit dhe pretendimeve të atit Sava Janjiq dhe fakteve të cilat i përdor Kisha Ortodokse Serbe se, manastiri ka pronë prej 700 hektarëve, Imeraj thotë se kjo e pavërtet mund të hidhet lehtë poshtë nëse studiohen me kujdes faktet se, me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, Kisha Ortodokse dhe Kisha e Deçanit e pranojnë vasalitetin ndaj Perandorisë Osmane dhe se, ata që kanë pasur tokë kanë qenë edhe spahi, kalorës të zgjedhur të Perandorisë Osmane.
“Me që manastiri i Deçanit sipas një broshure që ata e kanë botuar, thuhet se kanë qenë spahi të Perandorisë Osmane, atëherë rrjedh pyetja: sa i kanë dhënë Perandorisë Osmane ushtar? – Që është një disbalancë i të vërtetës, sepse murgjit në atë kohë nuk kanë qenë kalorës të Perandorisë Osmane, siç potencojnë në broshurën që e kanë publikuar kohë më parë” shpjegon historiani Imeraj duke theksuar se Perandoria Osmane nuk ka lejuar që manastiret apo kishat të kenë prona aq të mëdha sepse Perandoria i ka marr taksat dhe ka caktuar një shumë vjetore të pagesës të cilën është dashur me e kryer, prandaj ai pyet se “ku e mori burimin Manastiri që të paguaj për pronën që e ka poseduar?”
Duke e shpjeguar kopjen e fermanit të Sulltanatit, nga viti 1794, ku banorëve të fshatit Isniq ju dhurohet një pjesë e Bjeshkës nga Perandoria Osmane, historiani Shkodran Imeraj vërteton se Manastiri i Deçanit dhe kishat në kuadër të Perandorisë nuk kanë zotëruar shumë tokë dhe se kanë zotëruar vetëm me objektet përcjellëse.
“Se a ka pasur pronë të zgjeruar shumë apo jo, manastiri i Deçanit, flasin edhe faktet e mëvonshme, respektivisht flet një fotografi e vitit 1962 e cila e pasqyron qartë pronën e Manastirit të Deçanit. Këtë e argumentojmë me shemën e cila është një shemë që tregon rreth pronave dhe objekteve përcjellëse të Manastirit të Deçanit, sipas territorit nuk ka më shumë se 8 hektar tokë. Kjo është pronë që e ka trashëguar, sepse po të kishte 700 hektar tokë, që nga koha e Perandorisë Osmane , ai do t’i kishte edhe sot. Do të thotë, është një e pavërtetë” rrëfen Imeraj dhe e dokumenton këtë me një gravurë që daton nga vitit 1764, si dhe me një fotografi ku shihet se, në vitin 1962, ajo pjesë ishte ripyllëzuar me anë të mbjelljes së pishave.
Një fakt tjetër argumentues është regjistrimi i parë Osman në territorin e Deçanit, në vitin 1485, kur jepen informacione për igumanët , priftërinjtë apo shërbëtorët që kanë shërbyer në kuadër të Manastirit të Deçanit dhe të cilët kishin emra të trajtës jo ortodokse. Sipas Imerajtë, kjo tregon se territori i komunës së Deçanit ka qenë i banuar nga popullsia edhe ortodokse edhe katolike shqiptare e cila gjithmonë ka qenë e lidhur me tempujt e tyre fetar dhe në histori njihet si respektuese e monumenteve fetare.
– Apiko dhe Ilira s’mund të tjetërsohen nga Manastiri i Deçanit –
Imeraj ka reaguar edhe në pretendimet e Manastirit për pronat e Apikos dhe Ilirisë, dy gjigantëve të mëdhenj ekonomik, jo vetëm të Deçanit por edhe të Kosovës, në kohën e Jugosllavisë dhe se, marrja e tyre do të shkaktonte bllokim ekonomik të komunës së Deçanit. Për më tepër, ai e kundërshton aktgjykimin e 28 Dhjetorit 2012, kur Gjykata Supreme e Kosovës, respektivisht Dhoma e Veçantë merr vendim duke u bazuar në dy dokumente, sipas tij të papranueshme: Masat e Dhunshme të vitit 1993 dhe 1997, sipas të cilëve , pronat në fjalë i bëhen dhuratë Manastirit të Deçanit, nga ana e institucioneve të Republikës së Serbisë.
Lidhur me këtë, Lidhja e Historianëve të Kosovës ka kërkuar në vitin 2012 dhe kërkon edhe sot, që Kuvendi i Kosovës t’i nxjerr urgjentisht tri ligje: Ligjin për distancimin ndaj Masave të Dhunshme, që do t’i hudhte poshtë gjitha vendimet nga 28 marsi 1989 kur suprimohet autonomia e Kosovës e deri më 12 qershor 1999 kur Kosova vendoset nën admisnitrimin e Kombeve të Bashkuara; Ligjin e Reformës Agrare, për të rishikuar historinë e tokave dhe Ligji i Lustracionit apo Ligji i Pastërtisë Publike
– Ne e kemi respektuar dhe do ta respektojmë çdo herë Manastirin e Deçanit –

Manastiri i Deçanit është respektuar dhe ruajtur , përherë, nga deçanasit sepse, kanë qenë popullsia vendase me gurskalitësit nga Kotorri ata që e kanë rindërtuar këtë manastir dhe deri në fillim të viteve të ’90-ta, në Manastirin e Deçanit ka ekzistuar Vojvoda apo Rojtari, rrëfen historiani Imeraj dhe shton se, Vojvoda e fundit ka qenë familja e Sali Rrustës nga Deçani.
Me këtë, Imeraj bënë me dije se, shqiptarët e Deçanit, pa marr parasysh bindjet fetare, e kanë respektuar dhe e respektojnë Manastirin e Deçanit si një monument të rëndësishëm të kaluarës historike shqiptare dhe për këtë thirret edhe në vet dokumentet serbe. “Arhimani i Manastirit të Deçanit, Serafin Ristiç, në vitin 1864 e boton librin e tij ‘Deçanski spomenici’, në Beograd, i cili përshkruan disa zakone të Kishës së Deçanit dhe ndër të tjera thekson që, murgeshat kur i kanë kryer lutjet dhe meshat në manastirin e Deçanit, kanë kënduar me këto fjalë: ‘O Patriarkan, manastir i famshëm, në trevën e Dardanisë, qëndron qysh moti. Domethënë, ky është një argument të cilin e pranojnë edhe vet ish drejtuesit e Manastirit të Deçanit se, ai i takon një të kaluarës historike Dardane” citon Imeraj burimet serbe që dëshmojnë se, ky manastir ishte i ndërtuar në Dardani, pjesën e Ilirisë antike, vendit të shqiptarëve dhe ishte kult fetar i popullsisë vendase shqiptare.
– Gjatë luftës në Kosovë në Manastir ishin strehuar shqiptarë, kolaboracionista –

Lidhur me deklaratat e Igumenit Janiq se, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, ai ka strehuar shqiptar, historiani Imeraj thotë se, ati Sava është duke i shtrembëruar faktet dhe se Manastiri i Deçanit ka qenë vend strehim i atyre shqiptarëve që kanë qenë kolaboracionist dhe i kanë shërbyer regjimit serb të asaj kohe dhe jo vetëm atyre.

“Ne e dimë që gjatë luftës fundit, në vitet 1998 dhe 1999, janë strehu edhe personel ushtarak i uniformuar, gjë e cila dëshmohet edhe me anën e kësaj fotografie ku shihen policët e uniformuar serb dhe në mesin e tyre shihet edhe një nga personeli i Manastirit të Deçanit” rrëfen Imeraj .
Njëherësh, ai ja rikujton atit Sava Janiq se gjatë viteve 1998-1999, në këtë manastir janë mbajtur edhe mesha kishtare duke u tymosur dhe lagur me ujë qindra policë e paramilitarë serb të cilët më pas kryen krimet më të rënda në territorin e Deçanit dhe më gjerë. Për këtë, Imeraj tha se, më së miri flasin faktet, incizimet dhe fotografitë e kohës dhe se nuk është mirë që Igumeni Sava Janiq po mundohet të shtrembërojë.
– Manastiri i Deçanit të hapet edhe për historianët shqiptarë –


“Unë personalisht e kam një mesazh për fund që, Manastiri i Deçanit gjithmonë ka qenë një monument i respektuar prej shqiptarëve dhe do të vazhdon të respektohet prej shqiptarëve sepse është ruajtur nga shqiptarët” përfundoi historiani Shkodran Imeraj i cili shprehi dëshirën që arkivi i Manastirit të hapet edhe për studiuesit shqiptarë, në mënyrë që edhe ata të kenë qasje në dokumentacionin të cilin e disponon Manastiri. Si historian, ai është shumë i gatshëm ta vizitojë Manastirin pasi që, personalisht, në këtë moment e ka të pamundur me shkua dhe me e vizitua atë monument të historisë shqiptare.

Të dhëna biografike rreth Shkodran Imeraj :


Shkodran (Cenë) Imeraj ka lindur në Isniq, Komuna e Deçanit. I diplomuar me titullin Master në Universitetin e Pristhinës, dega e Historisë, është duke përgaditur tezën e doktoraturës në Universitetin e Tiranës, fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Ka botuar punime shkencore të shumta, ndër to Masakra në Lybeniq 1998-1999. Ka qenë në qendër të polemikave me popin e manastirit të Deçanit, Sava Janjiq dhe është kërcënuar disa here për veprimtarinë shkencore rreth historisë të manastirit të Deçanit.


Leave a Reply