Derrat e Serbisë e kumbullat e rakisë


Kur pas Luftës së Parë Botërore Franca i dha kredi Serbisë për armatim e modernizimin e policisë, atëbotë shtypi francez i shqetësuar, pyeste qeverinë e vet: si do ta kthejë Beogradi kredinë? Me kumbulla të rakisë e më derra të Serbisë, nuk e mbulon borxhin, ndërsa industri nuk kanë, vajtonin francezët për paratë e humbura.

Beogradi industri nuk ka as sot, por është prodhuesi më i madh në Ballkan i kumbullave të rakisë e i derrave të Serbisë. Pa e ditur përvojën e hidhur të francezëve, dashamirët e mi në FB, të ekzaltuar më thanë: Serbia premtoi investime të lakmueshme në bregdetin shqiptar. Ku do t’i marrin paratë, e pyeta njërin nga ta. Nuk e dinte, por besonte se ata kanë para të fshehura.

Më lindi dyshimi edhe mua: se mos i kanë fshehur serbët dinak paratë nën dyshek për bregdetin shqiptar! Mali i Zi i dëboi nga bregdeti i vet, edhe pse e flasin një gjuhë, mbi 80 vjet e patën shtetin e përbashkët, Beogradi e shpalli huan popullore më detyrim para 50 vjetësh për hekurudhën Beograd -Tivar. Dashamirët e mi në FB nuk e dinë se serbët e shkret e presin shpëtimin nga Allahu.

Arabët u premtuan t’ua modernizojnë kryeqytetin mbi ujë, turqit infrastrukturën. “S’ke pse i urren serbët. Të gjithë do t’i kthejmë ne fenë islame”, me tha vjet një djalosh 25-vjeçar me mjekër të gjatë vehabi e pantallona mbi zog të këmbës, ditë më diell në një rrugicë të lagjes sime, në kryeqytet. Mbeta i shastisur nga ky lajm-bombë! Lum si serbët që do bëhen myslimanë e të lumtë shqiptarët që besojnë në serbë.

Source: Gani Mehmetaj


Leave a Reply