Loading...

Erdogani synon shkollat shqiptare


Nga Xhemal Ahmeti

Pas politikës, pushtetit, ekonomisë dhe religjionit Erdogani donë edhe shkollat shqiptare – nga fillorja e deri në fakultet. Për këtë ka krijuar fondacionin Maarif. Ndaj këtij synimi ekspansionist të formës sovjetiko – kineze heshtin të gjithë: qevria, mediat, politika. E duan ndoshta një sistem si ai i Ankarasë?

Gjatë luftës së ftohtë transatlantike, amerikanët sponsorizonin të ashtuquajturat «Qendra kulturore» me synimin për të ndikuar në diskursin antisovjetik vendeve perëndimore. Ndoshta ishin artikujt e rebelit të porsashpranguar nga sovjetizmi stalinist Athur Köstler që paraprakisht u krijua bindja sikur amerikanët kanë ndonjë strategji për pushtimin e sistemeve arsimore të perëndimit. Nga arkivi i mediave të asaj kohe mësojmë për një protestë tejhisterike të elitave europerëndimore – pra të asaj pjese më se amerikane e kohës.

Nisma interpretohej si sulm agresiv ndaj shkollave nacionale të vendeve përkatëse; ajo denoncohej si përpjekje staliniste e Uashingtonit që, bllokut monist e njëdimensional të Moskës, t’i përgjigjet me po të njëjtën valutë. Debati, protesta qe e shkurtër ngase amerikanët ia dolën të bindin shpejtë qeveritë perëndimore se nuk kishin një plan të tillë. Një aksion i llojit, në thelb, do të ishte kundër edhe vetë kushtetutës amerikane.

Sovjetikët më vonë bashkë me kinezët vazhduan që sferës së vetë të dominimit ta ushtrojnë sistemin e pushtimit të shkollave – koncepti dykampësh i Zhdanovit.

Sot kjo sjellje konsiderohet ekspansioniste, kolonialiste dhe dënohet ashpër ndaj kujtdo që e bën apo provon një ide të tillë. Në këtë stad zhvillimi, të shek. 21, e provojnë ende vetëm diktatorët e mendësisë së dikurshme sovjetiko-staliniste, autokratët dhe tiranët e fromatit siç sillet presidenti i shtetit turk Recep Tayyip Erdoğan.
II.

Gjatë vizitës së presidentit kosovar Hashim Thaçi tek homologu i tij u shpalua se Turqia sapo paska hartuar një ligj për themelimin e fondacionit «Maarif», nëpërmjet të cilit shtetit turk do të themelojë «shkolla fillore, të mesme dhe fakultete» jashtë vendit. I pari vend në listë qenka Kosova, respektivisht «vëllezërit kosovarë». Në këtë mënyrë autokrati i Ankarasë zotohet se do të zëvendësojë shkollat e Gülenit me ato të tij – që të dyja me të njëjtën ideologji.
Dinë Erdogani dhe Hashim Thaçi më shumë se opinioni kosovar? Në bazë të formulimit të këtij ligji dhe deklaratave të paraprimatëve politikë turk shkollat fillore, ato të mesme dhe fakultetet e Kosovës qenkan të Gülenit.

Si?

Dihet se sidomos shkencat humane të Universitetit të Prishtinës janë në ndikim të thellë të doktrinës panturke, por se edhe të mesmet dhe filloret qenkan brenda po të njëjtit sistem nuk ka informuar e argumentuar kush në Prishtinë e lere më të ketë protestuar kundër një invadimit të tillë infektiv.

Pas vizitës së presidentit Thaçi atje doli pra në skenë se jo vetëm «Bashkësia Islame», muzetë, pikat më nevralgjike ekonomike (energjia, transporti ndërkombëtar, infrastruktura), presidenca, politika, por edhe shkollat qenkan në shërbim të një sistemi të huaj arsimimi – atyre turke.
III.

Do të ishte gabim fatal nëse Kosova ia paska lënë shkollat Turqisë ku nuk njihen as identitet e lere më kulturat tjera; një vendi ku nuk sundon ligji dhe liria por tekat e një tirani paranojak që burgos miliona njerëz vetëm brenda disa ditëve sikur dikur idolet e tij Gulagut e Auschwitzit; do të ishte antikushtetuese që shkollimin fillor obligues, në këtë stad të demokracisë kosovare, t’ia lësh një shteti që madje s’ka as çka të jep; do të ishte atentati më i ulët ndaj kulturës dhe identitetit shqiptar ngase instalon një mendësi që e urren të parin, tenton ta falsifikojë dhe çmontojë, është pra mendësi e shkronjëzuar në disfavor të kulturave tjera.Nuk ka se ç’dijë mund të vijë nga Anadolli që qenka e vyeshme?

Pra në çka, në cilën shkencë mund t’i bëhet shqiptarit europian turku mësues? Ai mund t’i bëhet për ta riprodhuar veten – një që ec drejt viteve të 700-ta e jo para!
IV.

Nëse vërtet ka shkolla fillore, të mesme dhe të Gülenit vërtet duhet të mbyllen – se të kundërligjshme në formën siç veprojnë. Mësimet e tij janë të vijës: «thith dijen e botës për ta pushtuar atë nga brenda dhe për ta sheriatizuar», janë antisekulare, kundër diversitetit dhe kundër tjetrit të lirë dhe autonom, pra kërkon të njëjtën si këto aksionet e Erdoganit, ngase ky ka qenë nxënës i tij deri para ardhjes në pushtet. Duhet ë mbyllen shkollat me synime kryekëput ekspansioniste në dëm të shkollave dhe kulturave vendore. Të kujtdo qofshin ato.

Çka mendon Thaçi; pse nuk e nisin amerikanët, gjermanët, zviceranët, italianët një nismë të tillë por sjellin vetëm material për kushte më të mira mësimi, akomodimi dhe përparimi teknik? E dinë ai këtë? E dinë ai se si president duhet të përfaqësojë e jo të zotohet për punë që janë çështje e kompetenca institucionesh tjera? Natyrisht se nuk pritej nga zotëri Hashim Thaçi t’i kap mikrofonin Erdoganit nga dora për t’i thënë sus efendi apo abi se s’shkon kështu. Por pas kthimit ai duhej t’ia sqarojë opinionit shqiptar me qëndrimin e tij për këto çështje.

Sa më pak të flasë ai, do të vazhdojë kjo analizë që e lexova në gjermanishte se: «Paktit të dyshes Putin dhe Erdogan kundër perëndimit ngadalë i bashkëngjiten edhe liderë minorë ballkanike si presidenti kosovar». Qëndron kjo? PDK që është partia mëmë e presidentit duhet të japë llogari për këtë. Qeveria duhet të japë llogari për këtë interpretim të Kosovës si patericë e bllokut të dy autokratëve demokracizhbërës Erdogan-Putin.

Ajo që megjithatë ta prish çdo festë është heshtja makabre e shoqërisë civile, mediave, «elitave» sidomos ndaj marifetit më ri «Maarif» të sulltanatit nga Anakaraja? Si ka mundësi që në kulmin e injorimit dhe ndëshkimit të Turqisë për shkak të politikës erdoganeske të zhdukjes së lirisë, sistemit demokratik dhe pluralist vetëm primatët shqiptarë, herë Edi, herë Nishani, herë Hashimi ti vërtitetn përreth si «konobaricat» e atij Hashimit të Dobërdollit?
Source: xhemal-ahmeti.com


You May Also Like

Leave a Reply

%d bloggers like this: