Helena e bukura e dheut dhe Parridi princi i Trojes


Ata të dy nuk e dinin se do të bëhen shkaku i nje lufte madheshtore, qe do te permendet edhe sot mbas 3000 vitesh.

PARIDI i biri i Priamit, mbretit të Trojës dhe bashkëshortes së tij, Hekabës, shkaktar i luftës së Trojës.

 

Në natën para ardhjes së tij në botë Hekaba e ka parë një ëndërr të kobshme: e ka lindur vravashkën e ndezur, e cila e ka kallë Trojën. Mbretit Priam i drejtohet fallxhiu i cili ia ka shpjeguar ëndërrën në atë mënyrë që Hekaba do ta lindë djalin i cili do ta shkaktojë rënien e Trojës. Si sundues i kujdeshëm Priami urdhëroi që djalin e posalindur ta çojnë në malin Ida dhe atje të lërë në një kaçubë. Mirëpo, fëmijën e gjen arusha dhe e ushqenë me qumështin e vet pastaj atë e merr bariu Agela, ia jep emrin Parid dhe e rriti si djalë të vetin. Fëmija u zhvillua në një djalosh të bukur, veçohej me fuqi dhe i mbronte barinjët nga bishat dhe cubat. Shokët e tij e quanin, “Mbrojtës të burrave”. Paridi nuk dinte asgjë për origjinën e vet mbretërore, jetonte i kënaqur dhe as që e parandiente se çka i ka përcaktuar fati.

 

HELENA- e bija e Zeusit, zotit suprem dhe e dashnores së tij Ledës, më e bukura prej të gjitha grave vdekatare.

 

E ëma e saj, Leda, ishte gruaja e Tindareut, mbret i Spartës me të cilin ka pasur dy fëmijë, bijën Klitemnestrën dhe djalin Kastorin. Me bukurinë e vet Leda e ka magjepsur edhe vetë Zeusin dhe me të i ka pasur dy fëmijë: Helenën dhe djalin Polideuk. Tindareu nuk ka pasur asgjë kundër pjesëmarrjes së Zeusit në shumimin e familjes së tij, andaj fëmijët e vet dhe thjeshtrit, i ka rritur si duhet. Me djem nuk ka pasur vështirësi të posaçme. Që të dy u bënë trima të famshëm dhe arritën në qiell ku edhe sot ndriçojnë si Bineqët ose Dioskurët. Edhe me Klitemnestrën, së paku deri sa ishte e re, nuk ka pasur vështirësi. E martoi për Agamemnonin, mbretin e Mikenës. Vështirësi më të mëdha ka pasur me Helenën.

 

Ishte ende vajzë tejet e re, ndërsa për bukurinë e saj është folur larg, andaj e dëshironte Tezeu, mbreti i Athinës dhe me ndihmën e shokut të vet Piritout, e rrëmbeu. E çliruan vëllazërit Kastor dhe Polideuk dhe e këthyen në shtëpi.Së shpejti në Spartë erdhën krushqarët e rinjë për Helenën. Me kohë aty u gjenden të gjithë mbretërit dhe fëmijët e mbretërve akeas, të cilët dëshironin të martohen. Grindjet e tyre rreth Helenës gati e sollën Greqinë deri te gremina e luftës. Katastrofën e pengoi mendjeprehtësia e Odiseut, mbretit të Itakës. Ai në mënyrë të thjeshtë, origjinale, e këshillon Tindareun: që t’i lejë anash të gjitha konsideratat dinastike dhe politike e t’i lejojë Helenës që ta zgjedhë burrin sipas dëshirës së vet. Krushqarët u pajtuan me këtë mendim dhe me betim u obliguan se zgjedhjen e saj do ta pranojnë pa kurrfarë kundërshtimi dhe se fituesin nuk do ta vrasin dhe në asnjë mënyrë nuk do ta fyejnë, por në çdo gjë do t’i ndihmojnë.

 

Burimi: Legjenda e shqiponjave


Leave a Reply