Kerkime te vendbanimeve te epokes se hekurit ne Shqiperine Verilindore


Të dhënat e përftuara nga vendbanimet dhe varrezat tumullare të Shqiperisë Verilindore flasin qartë se kjo trevë është pjesë e kulturës dardane. Vendbanimet e epokës së hekurit janë vendosur kryesisht në kodra relativisht të ulta, pranë tarracave lumore, të lidhura me ekonominë bujqësore dhe peshkimin , por nuk mungojnë dhe vendbanime të vendosura në zona malore ku veprimtaria blektorale e banorëve të hershëm të kësaj epoke luante rolin kryesor

Një nga zonat më të rendësishme të Dardanisë për epokën e hekurit është verilindja e Shqipërisë. Vetë pozicioni gjeografik i saj krijonte komunikim të drejtpërdrejtë me trevat fqinjë më të afërta apo më të largëta, qoftë përmes luginave lumore dhe qafave të kalueshme malore. Lugina e Drinit të Bardhë, Qafa e Morinit dhe Erës etj, i mundësonte lidhjen me Kosovën dhe më në thellësi me Ballkanin Qendror. Lugina e Drinit të Zi shërbente për lidhjen me Shqipërinë Juglindore, posaçërisht me mjediset rreth Liqenit të Ohrit, për rrjedhojë dhe më tutje me ato të Pelagonisë. përmes Luginës së Drinit të Bashkuar komunikohej me zonat e brendëshme e bregdetare të Shqipërisë.

Jo vetëm luginat e Drinave , por dhe ato të lumit të Valbonës, Lumës,Krumës etj, ofronin fusha aluvionale mjaft të përshtatshme për kultivimin e kulturave bujqësore. Në zonat më në lartësi, pranë maleve të larta të Gjalicës, Koretnikut, Pashtrikut, Shkëlzenit etj, vijonin zona pllajore e Shishtavecit, e Kroit të Bardhë, Bjeshkës së Krumës dhe të Tropojës.

Tërë kjo zone shquhet për pasuritë e shumta mineralembajtëse, ndër të cilat dallohet bakri dhe kromi.

Ky pozicioni natyror me kushte gjeomorfologjike të favorshme, ka tërhequr vëmendjen e studjuesve të huaj si A.Boué, J.Han, A.Evans, A. Domashevski, A. Permersten, N. Vuliç, J.Jastrebov etj. , të cilët në fund të shekullit XIX dhe fillim të shek .XX kanë dhënë informacion të shkurtër për qendra arkeologjike të kësaj zone.

Boué flet për disa gjetje në luginën e Drinit të Bardhë, ndër të tjera përmend një urë, në bashkimin e Drinit të Bardhë me lumin Luma, të cilën e quan “Ura e Djallit” J.S.Jastrebov në zonën e Tërthores së sotme të Kukësit, saktëson pozicionine kështjellës së Bardhocit dhe toponimin e saj “Gradishtë”,si dhe varret e vjetra të këtij fshati . Gjatë Luftës së Parë Botërore B. Arpad flet për disa qendra arkeologjike të Hasit, siç janë Kalaja e Kosturit, Kalaja e vogël e Lekës përballë Vaspasit, mbeturinat e rrugës së vjetër romake nga Golajt në Krumë, si dhe praninë e dhjetë tumave të periudhës “Latene” fare pranë Krumës. Në njërën nga këto tuma kreu gërmime arkeologjike, ku zbuloi fragmente enësh dhe pjesë të ndryshme objektesh prej hekuri.., etj .

Pas luftës së dytë botërore intensiteti i kërkimeve dhe gërmimeve arkeologjike në ketë zone u rrit ndjeshëm nga studjuesit shqiptarë.

Nga kërkimet e gërmimet e gjertanishme epoka më e hershme e konstatuar nga Akademik, prof.Dr. Muzafer Korkuti është ajo e neolitit, e dëshmuar përmes një materiali mjaft të larmishëm nga gërmimet në Kolsh të Kukësit.

Po kështu të dhëna janë ofruar dhe për epokën e bakrit,bronzit dhe hekurit të hershëm nga studjues të tjerë si profesorët B.Jubani,N.Ceka, A.Hoti,L.Përzhita Zh.Andrea dhe autori i këtij shkrimi etj , përmes gërmimeve dhe studimeve të kryera në Çinamak, Kënetë, Bardhoc, Mamëz, Përbreg, Pecë(Kukës), Rosujë,Bujan, (Tropojë), Pus të Thatë, Dajç, Krumë, Myç-Has, Mujaj (Has) etj.

Duhet theksuar se kërkimet më të shumta për epokën prehistorike dhe protohistorike në ketë zone janë bërë kryesisht në nekropolet tumulare, tek të cilat shquhen sidomos varreza më e madhe tumulare e Çinamakut me mbi 80 tumat e saj, si dhe tumat e Kënetës, Myç-Hasit,Bardhocit, Krumës ,Mujajve, Përbregut, Bujanit etj, të cilat kanë plotësuar ndjeshëm tablonë e kulturës materiale e shpirtërore të Dardanisë Perendimore për epokën e bronzit e të hekurit.

Kërkimet për vendbanimet e epokës së hekurit janë të kufizuara numerikisht. Ato përfaqësohen nga disa gërmime dhe rigonicione të kryera në vendbanime të hapura, të fortifikuara dhe shpellore.

Ndër këto vendbanime dallohen vendbanimi shpellor dhe ai i fortifikuar i Dajçit, Vendbanimi shpellor i Qytezës(Has), Gradishta e Bardhocit, Qyteza në Kodrën e Pecës, Vila..,(Kukës) , vendbanimi i Rosujës ( Tropojë) etj.

Vendbanimi shpellor i Dajçit është vendosur në një lartësi 1250 m, pranë fshatit Mujaj, rreth të cilit gjenden kullota të pasura malore.Vendbanimi përbëhej nga katër ambjente, tri prej të cilave kanë qenë të banuara kryesisht në eneolit dhe sidomos në bronzin e hershëm. Në ambientin B është konstatuar dhe një shtresë mjaft e hollë kulturore, e cila i përkiste fundit të epokës së bronzit dhe fillimit të epokës hekurit. Gjetjet e kësaj shtrese përfaqësohen nga fragmente të pakta qeramike, me ngjyrën të zezë dhe gri si dhe kafe të errët, ndonjë me faqe të lëmuara me shumë shkelqim.

Ndër format e qeramikës spikat pjatanca e thellë konike, me buzë të trashuara, të zbukuruara me kanelyra, të cilat njihen dhe në Gradishtën e Pesjakës(Peshkopi) , shpellën e Këputës (Mat) , tumën e Barçit (Korçë) etj. Në literaturën arkeologjike këto forma enësh njihen edhe si tipi “turbandish”, i cili është i përhapur kryesisht në Ballkanin Qendror dhe datohet në fund të epokës së bronzit dhe fillimit të epokës së hekurit. Të pranishëm janë dhe tasat gjysmësferikë me buzë të drejta ose të mbledhura nga brenda, pa vegjë ose me dy vegjë vertikale nën buzë, fragmentet që u përkasin enëve me qafë konike etj

Ndër zbukurimet shquhet kanalyra herë e vendosur në mënyrë të pjerrët tek buza e enës, herë vertikalisht në sipërfaqen e ndonjërës prej tyre, zbukurim ky i njohur në qendra tjera të hekurit të hershëm në territorin e Dardanisë. Në një pozicion dominues mbi tërë zonën pllajore të Hasit , lartësohet Vendbanimi Shpellor i Qytezës, i vendosur në mes pyjeve mjaft të dendura. Në ketë vendbanim janë gjetur fragmente enësh të shek.VI-V pr.kr dhe një buzë pitozi, e cila i përket shek.IV-III pr.kr. Në ketë zone malore, ndodhet vendbanimi i fortifikuar, i njohur nga vendasit me toponimin “Maja e Murit”. Vendbanimi në anën e tij më të ekspozuar ka qenë i mbrojtur nga dy radhë muresh të formuara nga blloqe gurësh të papunuar, të përmasave të mëdha e mesatare, me ndarje të qartë në dy parete e mbushje midis tyre me gurë të vegjël. Trashësia e murit lëviz nga 2.30-2.70m.Pjesën më të madhe të vendbanimit e zen hapësira mes murit të parë dhe të dytë rrethues.

Mbi sipërfaqen e vendbanimit janë gjetur fragmente kupash të cekta dhe vorbash, që, për nga teknika e punimit, i përkasin epokës së hekurit dhe asaj antike të vonë.

Bazuar në tipologjinë e mureve rrethuese si dhe fragmentet e shek.VI-V pr.kr., paraprakisht jemi shprehur se këto mure janë të ngjashme me ato të Gajtanit, të cilat i përkasin periudhës së hekurit.

Në anën e majtë të luginës së Drinit të Bardhë është Gradishta e Bardhocit

Gërmimet arkeologjike të kryera në ketë qendër kanë saktësuar se periudha më e hershme e saj i përket hekurit të hershëm. Kjo dëshmohet nga prania e një trakt muri të ruajtur në gjatësi 30 m dhe lartësi 0,80- 1.10 m,i vendosur drejtpërdrejtë mbi sipërfaqen e terrenit.

Muri përbëhej nga dy faqe të brendëshme të mbushura me gurë të vegjël në mes tyre. Të njëjtën teknikë ndërtimi e takojmë në vise të ndryshme ilire . Përngjasimet më të afërta i kemi në Majën e Murit që cituam më sipër dhe pellgun e Shkodrës , qendra të datuara në hekurin e hershëm në shek.XI-IX pr.kr. Ngjashmëri gjenden dhe në Bellaçevc , në Gadimjen e Epërme dhe në fortifikimin e Hisarit të Suharekës .

Objektet e zbuluara në ketë periudhë riprodhojnë forma enësh dyvegjake,kupa etj,të cilat njihen mjaft mirë dhe në qendra tjera bashkohëse të dardanëve alpin.

Gërmimet sistematike të ndërmarra në Kodrën e Pecës dëshmojnë se fillimet e jetesës në ketë vendbanim i përkasin shek.VI-V pr.kr dhe vijojnë pandërprerje deri në mesjetën e hershme shqiptare. Për shek.VI-V pr.kr këtu nuk ka gjurmë arkitekture. Shtresa e hollë kulturore përbëhet nga gjetje qeramike dhe metalike, ndër të cilat dallohen: kratere, tasa, vorba ,objekte prej hekuri dhe bronzi etj.

Nga rindërtimi grafik dallojmë krateret, të cilët imitojnë tipin lakonas, të riprodhuar nga poçaria vendase ,ndërsa vorbat janë mjaft të ngjashme me ato të tumave të Kënetës , datuar në shek.VI-V pr.kr . Tek tasat shquhen ato me buzë të drejta horizontale , që përshkrohen mbi sipërfaqe nga hulli të çrregullta, të cilët në Romajë datohen në shek.VI-V pr.kr. .

Fragmentet e gjetura të enëve të importit përfaqësohen nga vegjë dhe funde kilikësh të ngjashëm me një sere gjetjesh në Kukës, Has e përgjithësi në tërë trevën e Dardanisë dhe të datuar në shek.VI-V pr.kr . Tek objektet metalike dallohet një gjilpërë dyshe prej bronzi të tipit omega , identike me simotrat e tyre të Kënetës,datuar në shek.VI-V pr.kr. , si dhe një kapëse hekuri e e po kësaj periudhe.

Qyteza e Rosujës nëTropojë ) në Tropojë është një vendbanim tjetër i hekurit të hershëm., i cili ka pozitë dominuese dhe horizont të gjerë shikimi mbi tërë luginën e Valbonës. Në saj të gërmimeve të kryera dhe analizës së materialit arkeologjik studjuesit e këtij vendbanimi profesor Bep Jubani dhe prof. Neritan Ceka kanë përcaktuar disa periudha kohore. Fillimet e këij vendbanimi përkojnë me shekujt XI-V pr.kr.

Ato dëshmohen nga gërmimet e realizuara në sektorin D të tij, në të cilin shtresa kulturore, ndonëse e dëmtuar nga erozioni, ka ruajtur materiale prej qeramike tipike ilire, gurë stralli e kocke. Për ketë periudhë nuk ka shenja të qarta, me përjashtim të një trakti muri të zbuluar në sektorin D , mjaft të ngjashëm me atë të Dajçit, të cilin e kemi datuar në hekurin e hershëm

Të dhënat e përftuara nga vendbanimet dhe varrezat tumullare të Shqiperisë Verilindore flasin qartë se kjo trevë është pjesë e kulturës dardane. Studjuesit kane argumentuar se “ .. rreth kohës së bronzit dhe kalimit të tij për në epokën e hekurit fillon e rritet dendësia e popullsisë dhe banorët e saj autoktonë pa dyshim janë fisi ilir i dardanëve alpinë.

Siç shihet vendbanimet e epokës së hekurit janë vendosur kryesisht në kodra relativisht të ulta, pranë tarracave lumore, të lidhura me ekonominë bujqësore dhe peshkimin , por nuk mungojnë dhe vendbanime të vendosura në zona malore ku veprimtaria blektorale e banorëve të hershëm të kësaj epoke luante rolin kryesor.

Me të drejtë E.Shukriu këto vendbanime të vendosura në kodra të ulta apo zona të larta malore i përcakton varësisht nga baza ekonomike e tyre. Kërkimet e ardhshme, sidomos në vendbanime të paeksploruara si “Maja e Murit”, “Vila”, “Qyteza” dhe evidentimi i vendbanimeve të reja në ketë trevë për epokën e hekurit janë të domosdoshme.

Ato do mundësojnë një analizë dhe prezantim më të plotë të trashëgimisë së pasur të popullsisë ilire të dardanëve alpin, krahas të dhënave tashmë mjaft të njohura nga nekropolëet tumulare.

Thellimi i këtyre kërkimeve do vijojë pasdisktutim të hedh poshtë me argumenta bindës, si gjer më tani,çdo mendim subjektiv që mohonpërkatësinë etnike ilire të dardanëve.


Leave a Reply