Kosovën dhe Turqinë ‘ekonomikisht i lidhin veç dallaveret e ryshfetet’


I pari odës së bizneseve të vendit ka thënë se duhet bërë shumë punë që të përmirësohet bilansi ekonomik i vendit, në vend të debateve ekonomike të motivuara politikisht.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se vendi qëndron jo mirë ekonomikisht, marrë parasysh të gjithë paramentrat, në raport me vendet e rajonit.

Ai ka kërkuar më shumë punë në drejtim të forcimit ekonomik, sesa fjalë dhe debate boshe, shpeshherë të motivuara politikisht, sic ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

“Në Kosovë flitet më shumë për projekte ekonomike dhe zhvillim ekonomik, por bëhet pak. Ne edhe krahasuar me rajonin qëndrojmë keq”, ka thënë Gërxhaliu.

“Ne kemi bërë shumë për infrastrukturë për biznese. Por kompanitë e huaja kanë ardhur këtu dhe jo vetëm që nuk kanë shfrytëzuar shumicën dërrmuese të resurseve të vendit, por as ujin nuk e kanë marrë prodhim të Kosovës. Një ndër këto është edhe Bechtel”, ka deklaruar Gërxhaliu.

“Brenga kryesore në debatet që kam përcjellë ka qenë ‘mos po anashkakohet kjo apo ajo komunë’. Kjo i jep ngjyrë politike këtyre diskutimeve. Duhet që këto të marrin fund. Është koha që të kemi dialog, partneritet dhe sundim të rendit dhe ligjit”, është shprehur ai.

Gërxhaliu megjithatë ka lavdëruar punën e bërë nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, që sipas tij ka krijuar disiplinë financiare në shtet.

“Këtë vit e ka konsideruar një disiplinë financiare. Ka deri diku transparencë në dikasterët e qeverisë, është rritur dialogu i sektorit publik me atë privat. E pranuam apo jo, ministri Avdullah Hoti ka bërë punë të mirë, të cilën duhet t’ia kenë lakmi”, ka thënë Gërxhaliu.

“Për mua shqetësues nuk është buxheti, fundja. Shqetësuese është ikja e investitorëve të huaj, kur vendet e rajonit po thithin me të madhe investime të tilla”, ka shtuar Gërxhaliu.

Ndërsa sa i përket marrëdhënieve ekonomike me Turqinë, ai ato i ka përshkruar me pesë fjalë.

“Në një intervistë për një gazetë të huaj, ata më pyetën se cka e lidhë ekonomikisht Kosovën me Turqinë. Dhe pas kësaj se ka vec pesë fjalë që i lidhin këto vende: dallaver, ryshfet, xhymryk, allashverish, tuxharet”, është shprehur Gërxhaliu.

Source: Gazetaexpress


Leave a Reply