Letër vendasve të mi -Jon Leka


Ndër sulmuesit më të mëdhenj dhe më fyes ndaj kritikave të mia drejtuar tentimit turk për t’i ripushtuar (aktualisht vetëm kulturalisht) vendet ku jetojnë sipas tyre „mbetjet osmane“ (Davotoglu) janë vendasit e mi. Kjo letër nuk iu drejtohet gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që i ka kapluar erotika e flamurit turk, por vetëm atyre me të cilët jam rritë, atyre që jetojnë në Pollog, brenda Tetovës dhe Gostivarit.

Nuk jam nga ata që instrumentalizon biografinë personale për t’ua çarë kryet masave se duhet të mos më ngucin përjetë se paskam vuajtur për interesin e kolektivit. Por ju të dashurit e mi prekni edhe aty ku nuk duhet, ngase më kërkoni përgjegjësi pse nuk e shoh nënën time më shpesh. Pse nuk paskam qenë në varrimin e babës tim e të ngjashme. Ja po ju tregoj pra aversionin tim ndaj flamujve të huaj – edhe pse e njihni se i kenë etërit gjallë që do të mund t’iu tregonin.
*

Kur mu arrestua mësuesi im i shqipes Zaim Beqiri i Shipkovicës, pasi ai u morr me 30 policë të armatosur me kallashnikovë deri në dhëmbë nga klasa, në kafenenë e babait tim festonin plotë baballarë tuaj duke lavdëruar sistemin e fortë e titanik të Titës. Ai nuk na mësonte vetëm shqipen por edhe Skënderbeun, Ilirët e kështu. Për herë të dytë ( kësaj radhe nga një autoritet se jam rritur në prehrin e pleqve të katundit që ma mësonin historinë) nga goja e tij mësova se edhe unë si shqiptar paskam një histori dhe ajo jugosllavja s’qenka e imja. Ishin prindit tuaj mësues e drejtorë që e denonconin për çdo ditë në polici. Ishin hoxhallarët tuaj që ditën e „xhuma“ pastaj dersin ia kushtonin Jugosllavisë së fortë që e morën atë „kriminel“ më në fund. Veshët e mi dhe të prindërve tu dhe të gjithëve janë dëshmia. 
Në moshën 15 vjeçare u burgosa për herë të parë për disa ditë se spostova flamujt jugosllav dhe portretin e Titos në nevojtoret e shkollave. Pas kësaj „vizitat“ në zyrat e policisë u bënë standard. Gjithmonë e pata një qëndrim: Kushtetuta ma lejon gjuhën, identitetin si gjithë tjerëve dhe pikë. Asnjë shkollë nuk më mbante dhe pas 6 muajsh më detyronte shpërnguljen në shkollë tjetër. Me muaj kam kaluar Biçecit të Kaçanikut, Gjakovës, bodrumeve të ëmbëltoreve të tanëve në Prishtinë e gjetiu duke ikur sa herë më tregonin se filan udbashi ma ka vënë syrin. Dikur, pas demonstratave masive të Tetovës më 6 prill kundër paraleleve të përziera, pro Kosovës Republikë u dënova me 6 vjet burg si shef i një organizate dhjetanëtarëshe për kundërrevolucion e bllablla, nga të cilët vetëm një a dy i njihja e tjerët kurrë në jetë nuk i kisha regjistruar. 
*

Gjatë dënimit ma izoluat familjen. Pas daljes nga burgu më akuzonit të jem unë shkaktari që ua mbyllën byrektoret, qebaptoret, ëmbëltoret kah i kishit gjithandej Serbisë. Më akuzonit që të jem një ndër ata që ua prisha qetësinë. Më akuzonit që ua prisha virgjinitetin jugosllav se pas kapjes së grupit të Xhemë Hasës me kompani isha i pari i atyre dhjetëra fshatrave në Pollog që u burgosa për politikë. Ma gërditet vendlindjen. Dhe kur më erdhi thirrja për ushtri në Valjevë më erdhi rasti që të iki, më shumë nga ju se nga ushtria jugosllave që më kërkonte në një kazermë që njihej për zhdukjen e shqiptarëve. 
*

Koincidencë. Sot shumica ju erdoganistëve dhe wahabistëve më intensivë jeni fëmijë të atyre familjeve të njëjta që mbronin flamurin jugosllav nga unë. Jeni pikërisht ju ata familje e fëmijë hoxhallarësh e funksionarësh që si rend për qumësht para shitores rrinin para dyerve të UDB-ës për të spiunuar mësuesit, mua dhe gjithkënd që fliste kundër ekzekutimit të të drejtave identitare të shqiptarëve. Të njëjtët me frizura ndryshe që nuk kuptojnë se qëndrimi im personal nuk ka të bëjë me flamujt e huaj në vend të tyre, as me gjuhët e tyre, por është rezistencë e përhershme kundër atyre që nuk duan të më lënë mua të flas në gjuhën time dhe ta kem flamurin tim. Turqia e Erdoganit e bën të njëjtën si dikur jugosllavët – në forma tjera. Por qenkeni mësuar të jetoni kështu si vasalë të të huajve se se ashtu ju kanë edukuar etërit tuaj. Ndryshoni. 
PS.

Dhe ja pse nuk isha në varrim e babit tim dhe e vizitoj nënën vetëm ilegalisht dhe iki: Maqedonia ende – asnjëherë deri tash – nuk i është përgjigjur kërkesës zyrtare zvicerane të garantoj për sigurinë time. Kur kam qenë herën e fundit në Dobërdoll me një mik timin mezi hyra e mezi dola. Maqedonia vazhdon të më konsideroj dhe trajtoj si armik (sidomos pas studimeve të mia këndej për konstruktimin e kombit) për atë arsye unë edhe sot e kësaj mbetem në statusin e të strehuarit politik përkundër të gjithave. Po ju nuk iu intereson kjo se ndryshe iu flasin baballarët dhe nënat e juaja që kurrë, asnjëherë nuk mund të bëhen si e imja – nga ajo dola kështu!


Leave a Reply