Një kontribut i rëndësishëm shkencor larg fanfarave mediatike


Nga Luan Rama
Saimir Shpuza është në mesin e rrugës së tij shkencore. Pas një eksperience shumëvjeçare në terrenet arkeologjike, fruti i punës së tij shkencore është më së fundi studimi i epokës romane të Ilirisë jugore dhe Kaonisë në veçanti, duke na sjellë jo vetëm jehonën e luftrave të Cezarit dhe Pompeut në tokat e Ilirisë, zbarkimin e legjioneve romake në Orikum dhe betejat nga Orikumi, Petra, Durrahiumi e deri në Farsale të Maqedonisë midis dy gjeneraleve më të mëdhenj të botës së asaj kohe por dhe atë që mbeti nga kjo epokë çka është dhe thelbi i studimeve të tij, lulëzimin e kulturës romane në trojet ilirike.
Shkrimi i një libri të tillë, botuar në frëngjisht nga Shkolla Franceze e Romës me titullin Romanizimi i Ilirisë jugore dhe i Kaonisë (La romanisation de l’Illyrie méridionale et de la Chaônie) është padyshim një kontribut i shkencës shqiptare dhe një përpjekje e jashtëzakonshme, por që në mediat shqiptare, këto botime europiane kalojnë pa zhurmë, pasi më shumë ka vlerë si duket bota e spektaklit dhe fanfarat e çastit sesa puna shumëvjeçare e një studjuesi të nivelit europian. Profesori i njohur francez Pierre Cabanes, një nga personalitetet e shquara që ka ndjekur në përparësi botën ilirike dhe mesjetare shqiptare si dhe mbishkrimet e vjetra helenike, e vlerëson në veçanti këtë libër e madje na kujton dhe një episod interesant në parathënien e tij, kur bashkë me arkeologun Saimir Shpuza, me një barkë të thjeshtë kishin shkuar në verën e vitit 2005 të vëzhgonin gjendjen e mbishkrimeve të vjetra në faqet shkëmbore të Gramatës, jo larg Himarës. Sapo ishin afruar, ata pikasën një bandë mafiozësh shqiptarë, me sa duket transportues të drogës, që u fshehën nëpër shkurret e atij gjiu të vogël dhe ku njëri prej tyre u doli me armë që të largoheshin menjëherë se ndryshe mund t’i qëllonte. Kështu atë ditë ata nuk mund t’i vëzhgonin mbishkrimet e vjetra të Gramatës.
Ky është sfondi i sotëm i përpjekjeve të mëdha që bëjnë punonjësit shkencorë për të zbuluar faqe të shënuara të historisë së vjetër shqiptare, e cila mund të përbëjë padyshim një bazë për zhvillimin e një turizmi kulturor në të ardhmen. Ka vende e popuj që nuk kanë shumë histori dhe që kanë një turizëm të zhvilluar kulturor, ndërkohë që Shqipëria me ngjarje unikale dhe qyteza të jashtëzakonshme arkeologjike, përveç Butrintit dhe disi të Apolonisë, nuk arrin ta shfrytëzojë këtë pasuri historike e arkeologjike.
Luftrat më të mëdha të botës së hershme janë zhvilluar në trojet shqiptare: jo vetëm ato mes Cezarit dhe Pompeut, por dhe ato mes normandëve e bizantinëve apo luftrat e anzhuinëve më pas kundër Konstantinopojës. Ishte pikërisht në Apolloni ku studioi Akademinë ushtarake nipi i Cezarit, Augusti, i cili do të bëhej perandori i parë i Perandorisë Romake, çka hapi një faqe të re në historinë dhe kulturën europiane, influencat e së cilës i shohim dhe në kulturën autoktone të shqiptarëve të hershëm. Shkrimi i një libri të tillë nga Saimir Shpuza, është gjithashtu një dëshmi konkrete profesionalizmi, mbështetur në eksperiencën e pararendësve të tij shqiptarë dhe burimet e studimeve të tyre si të Anamalit, Budinës, Cekës, Gjongecaj, Islami, Mano, Prendi apo Spahiu por edhe në referencat e veprave historike si Bellum Civile të Cezarit, librat e Suetones, Ciceronit, Diodore de Sicile, Tite-Live, e deri tek studiuesit europianë të shekullit XX si Baumont, Deniaux, Etienne, Hammond, Cabanes, etj. Le të shpresojmë që drejtuesit e kulturës t’i mbështesin më shumë këta personalitete që kërkojnë të rilevojnë faktin e Shqipërisë si një udhëkryq i kulturave midis Perëndimit e Lindjes dhe të mos bien prehë e bizneseve anti-kulturë që vetëm i shkatërrojnë sitet arkeologjike, në mënyrë që të realizohet ajo që thuhet prej kaq kohësh: «të eksportojmë kulturë»!
Source: pasqyre.a

You May Also Like

Leave a Reply

error: Content is protected !!
%d bloggers like this: