POSEIDONI ” ne shqip “POEDON


I biri i Titan Kronit dhe gruas së tij Rejës, zot i detit.
Ishte njëri prej tre zotërave më të fuqishëm. Ishte sunduesi suprem i perandorisë së madhe detare, sikur që ka qenë vëllau i tij më i madh, Hadi, sundues i botës nëntokësore, ndërsa vëllau më i ri, Zeusi, sundues i qiellit dhe i tokës. Të gjithë zotërat e detit i janë nënshtruar, ishte zotërues i të gjitha kafshëve detare, ka vendosur për çdo gjë çka ka ndodhur mbi det dhe nëndet.Me tredhëmbëshin e vet ka mundur ta shqetësojë detin deri te shtrëngatat e furishme, por ka mundur edhe t’i qetësojë dallgët më të tërbuara. Kur me tredhëmbeshin e vet i ka mshuar tokës, ka shkaktuar tërmet. Ka qenë i furishëm dbe i fuqishëm, por për nga natyra labil mu sikurse gjallesat mbi të cilat ka sunduar. Andaj nuk duhet habitur pse i janë frikësuar më së shumti, dhe për këtë arsye edhe më së shumti e kanë adhuruar marinarët dhe banorët e viseve bregdetare të tërë botës se vjeter.

 

Selia e Poseidonit ka qenë pallati i mrekullueshëm i nëndetit në Egi (në bregun perëndimor të Eubesë, ose në bregun perëndimor të Akesë). Nga aty shkonte në qerren e vet detare që e tërhiqnin kuajt me jele të arta në Olimp, në cilën do anë të perandorisë së tij ose të rrethinës së tij. Lundronte nëpër det të hapët, jo nën sipërfaqe të detit, ndërsa dallgët para tij largoheshin dhe vetvetiu zmbrapseshin. Rëndom e kanë përcjellë zotërat e detit dhe banorët e tjerë të detit. Kudo që të shkonte, dilnin nga strofullat e tyre edhe përbindëshat e detit, duke ditur se ndoshta do të ketë nevojë për ta. Me ta shërbehej kryesisht si mjete hakmarrëse. Një përbindësh kështu e dërgoi kundër Trojës kur mbreti Laomedont refuzoi tia paguajë shpërblimin e premtuar për ndihmë në ndërtimin e mureve të Trojës, tjetrin e dërgoi në tokën e mbretit Kefe, sepse bashkëshortja e tij me madhështi dhe lavdërata i ka fyer nimfat e detit. (I pari prej këtyre dy përbindshave është dashur ta vrasë Hezionën, të bijen e Laomedontit, tjetri Andromedën, të bijën e Kefeut).Ndërkohë, Poseidoni hakmirrej vetë. Me tredhëmbëshin e vet i shkatërroi muret e Trojës, madje këtë e bëri dy herë (herën e dytë jo deri në themel, sepse në vitin 1871 i ka zbuluar të ruajtura mjaft mirë arkeologu gjerman Hajnrih Shliman. Poashtu personalisht e ka ndjekur mbretin e Itakës, Odiseun, i cili duke u kthyer nga Troja e pushtuar ia kishte verbuar djalin Polifem. Dhjetë vjet e pengoi të kthehet në Itakë, deri sa Zeusi nuk e shfrytezoi moskujdesin e tij për një çast dhe kështu u dha fund vuajtjeve të Odiseut.

Derisa Poseidoni, në perandorinë e vet gëzonte autoritetin suprem me zotërat e tjerë nuk kalonte gjithherë mirë. Me ta ka pasur mosmarrëveshje dhe rëndom u nënshtrohej. Me Athenën bie në konflikt për shkak të sundimit në Itakë, me Heliun për shkak të Korintit, me Dionizin për shkak të Naksosit, me Apollonin për shikak të Delfeve, me Herën për shkak të Argut, ndërsa me Zeusin, për shkak të ujëdhesës Egina. Zotërave të tjerë rëndom u shkonte përdore që disi ta mashtrojnë ose ta detyrojnë që të tërhiqet. Njëherë madje u ngrit kundër Zeusit dhe për vete i bëri edhe zotërat e tjerë. Me ndihmën e Herës dhe të Athenës e lidhi, por nuk e rrëzoi nga froni. Thirrjet e Zeusit për ndihmë i pat dëgjuar hyjnesha e detit, Tetis dhe e dërgoi në Olimp Brierin, djalin e vrazhdët njëqindëduarësh të Poseidonit. Posa e pa Poseidoni, u vërsul ne të dhe e lëshoi litarin kështu që Zeusi u lirua pa mund. Ndërkaq Poseidoni ka qenë shok i këndshëm i zotërave të tjerë dhe u ka dhënë shpërblime të vlefshme edhe njerëzve. E ka bërë, për shembull, kalin dhe i ka mësuar njerëzit se si ta zbusin dhe si ta mbrehin që t’u shërbejë. Tokës ia dhuroi lagështinë dhe kështu e bëri të mundshme rritjen e bimëve, Tesalinë e shpëtoi nga vërshimet, sepse me tredhëmbëshin e vet lumit Penea ia hapi rrugen për në det. Veçmas mirënjohës ndaj tij kanë qenë romakët. Ndonëse në luftën e Trojës u ndihmoi akeasve, e shpëtoi Enenë, udhëheqësin e trojanëve, i cili pas rënies së Trojës u vendos në Itali dhe e themeloi qytetin prej të cilit u zhvillua Roma.
Bashkëshortja e Poseidonit ka qenë Amfitrita, e bija e Nereut, zot i detit, ndërsa djali i tij më i dashur ka qenë zoti i detit, Tritoni. Ka pasur edhe shumë pasardhës të tjerë dhe siç ndodh kjo në mite, jo vetëm me gruan e vet legjitime. Me nimfën Toata ka pasur Polifemin me një sy, me nimfën Libia, Agenorin, mbretin e Sidonit, me nimfën Naida, Proteun, zotin e detit, me hyjneshën e tokës Gea, Gjigantin Anteu dhe të tjerë. Djalë të tij shumë autorë e kane konsideruar edhe kreshnikun athinas, Tezeun, të cilin e ka pasur me Etren, gruan e mbretit athinas, Egjeu.

Posidonit, Pellazget-Iliret i kanë shprehur respekt që nga kohërat më të lashta. Veçmas e kanë rrespektuar jonët, detarët e famshëm. Prej shtazëve ia kanë kushtuar delfinin, kalin dhe demin, ndërsa prej drunjëve pishën.

 

Burimi: Legjenda e shqiponjave


Leave a Reply