Primatët e elektorit të korruptuar!


ZGJEDHJET NË MAQEDONI (III)

Primatët e elektorit të korruptuar

Njerëzit ndjekin partitë për atë që u premtojnë. Kush çka u premton në Maqedoni masave të veta? Asgjë më shumë përveç gënjeshtrës që e kërkojnë për ta dëgjuar. Atje vlen ajo maksima më mirë se kudo tjetër: si mileti ashtu mbreti!

Xhemal AHMETI

Për të ditur se kush do të votohet duhet të analizosh se kush zgjedh. Giambattista Vico kishte të drejtë kur shkruante: «Historia e njerëzimit përbëhet nga veprimet e njerëzve – ne». Primatët politikë, nëse ua lexojmë drejtë premtimet, nuk shpikin e mendojnë asgjë më tepër se sa të përsërisin gënjeshtrën që kërkojnë masat e tyre. Dy kategori kryesore përbëjnë teatrin: Njëra palë që ka privilegjet dridhet mos i humbë ato dhe tjetra që egërsisht i donë të njëjtat për vete. Të gjitha këta bashkë përbëjnë historinë e tyre të dështuar brenda shtetit etnocentrik maqedonas.
Në mesin e këtyre operojnë analistët, mediat dhe e ashtuquajtura shoqëri civile, të cilët po aq sa dy kategoritë e përmendura veprojnë me të njëjtin mentalitet: objektiviteti është i kamufluar dhe ai duket nga mënyra e imponimit të temave dhe formës së trajtimit të personelit garues në stilin: ky tenton ta bëj këtë e ai beson se ia del ashtu.
Çka shpresojnë, çka kanë dhe kush janë elektoratet e partive të veçanta shqiptare në Maqedoni? Tashmë u mbajtën disa tubime promovuese të partive, ua lexuam programet dhe ua njohim mjaftueshëm strukturat brenda popullatës që i përkrahin, mbrojnë medieve e rrjeteve sociale ose udhëheqin degët e nëndegët e tyre hartës së vendit.

BDI – KASTA E TË PRIVILEGJUARVE
Partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti tashmë i ka bërë disa vite që bashkëqeverisë në Maqedoni. Gjatë viteve kjo parti ka «ndihmuar» e etabluar gjithandej ku ka mundur njerëzit e vetë; shkolla, shtet, biznese publike e private, pra në të gjitha sferat e mundshme. Veprim i natyrshëm ballkanik e jo specialitet i veçantë i partisë në fjalë. Nuk mohohet assesi segmenti brenda kësaj partie që vërtet shpreson se BDI gjendet në rrugë e sipër për të realizuar kërkesat e shqiptarëve dhe e përkrahin atë të motivuar nga ky qëndrim. Shumica mirëpo, militantët dhe operuesit aktivë shihet se priren nga interesat personale dhe familjare. E kjo kategori e fundit përkrahësish është më e madhja, se sa për idealistët BDI kishte përfunduar që moti. Janë interesat e llojit të vetmet qe e mbajnë të fortë partinë dhe sipas të gjitha gjasave do ta fitojë sërish shumicën. Ç’u bë me funksionarët e korruptuar? Po gjuha shqipe pse nuk u bë e barabartë – koalicionari thotë s’ka gjuhë shqipe? Po marrëveshja e Ohrit dhe gjitha të llojit? Mjafton të dalë Ali Ahmeti me uniformë dhe militantët të kenë një arsye se ai është i pazëvendësueshëm – jo si arsyetim dështimesh por si alibi pse duhet votuar sërish. Ali Ahmeti dështoi të zgjedhë njerëz të duhur edhe kësaj radhe.

ALEANCA PËR SHQIPTARË – PATRIOTËT PRAGMATIKË
Unioni i partive të udhëhequra nga Zijadin Sela nuk ka brigada të punësuara në baza partiake. Prandaj e ka edhe më rëndë. Kapital uniformash po ka. Edhe kjo për arsye taktike operon me thirrjet «hajde gjeneral». Njerëzit që përkrahin këtë parti më shumë janë të kulturës, asaj që flet shqip (në këtë situatë më tepër se sa duhet) dhe që ekspozohet si alternativë e vërtetë dhe serioze e BDI-së. Me një fjalë këtu janë me shumicë njerëzit e kategorisë që ende besojnë në shqiptarësinë si vlerë e kulturë që mund të ndihmonte shtetin maqedonas drejt qytetërimit të tij, drejt një bashkësie qytetarësh të barabartë e jo kastash e degradimesh në baza etnike. Njerëzit që përkrahin aleancën janë ata që me shumicë, në taborin tjetër përkrahin socialdemokratin Zaev, i cili po ashtu temë kryesore ka barazinë dhe luftën e ashpër kundër korrupsionit dhe anomalive tjera refraktare brenda shoqërisë. Problemi i përkrahësve të kësaj partie është oportunizmi i tepruar dhe frika e paarsyeshme, jo si hierarki por si bazë: shumica e këtyre sikur presin të fitojë njëherë partia e pastaj të bëhen të zëshëm.

BESA dhe PDSH – XHEMATI EKSTREM
Njëra është në konkurrencë me Bashkësinë Islame e tjetra me ish -vetveten dhe si filiale e së parës, për nga koncepti dhe operimi i eksponentëve të saj kryesorë. Nëse analizojmë personelin e kësaj partie qyteteve e katundeve ndeshemi me një biografi unike njerëzish: jo ish komunistë si diku tjetër, që s’mund të jetojnë pa doktrina njëdimensionale, pasi shumica as që e dinë se kush është Marksi, por më shumë njerëz moralisht të diskredituar në të kaluarën për imoral ose shërbim agresiv për aparatet e dikurshme të kosnideruara antishqiptare ose servile. Ndërsa baza e partisë janë ndryshe, të rinj e të reja që dilnin rrugëve për të protestuar në përkrahje të Erdoganit, të atillë që ndërruan emrat në arabishte dhe kërkuan zyrave të ofiqarisë të ndërrojnë kombësinë nga shqiptarë në turq. Është xhemati ekstrem, të cilëve nuk u mjafton «politika redaktuese dhe ideologjike» e Bashkësisë Islame dhe e drejta për fé brenda demokracisë por duna fenë që të ketë primatin në jetën e tyre. Edhe kësaj kategorie nuk i intereson se prijëseve të Besës për të marrë lejen për «TV Shenja» u ndihmoi Mijallkovski, i njëjti që shkaktoi «Kumanovën» dhe shumë tragjedi tjera për shqiptarët. Këtyre nuk u intereson se partneri më i përafërt është Zaevi, pra një ortodoks. Nuk u intereson të pyesin se nga gjithë kjo pasuri e «Besës» përveç se ato që janë dokumentuar të kenë ardhur nga shërbimet sekrete turke e arabe që bëjnë një udhë e dy punë: lajnë para dhe përhapin politikën e tyre ekspansioniste. Kjo kategori i pranon të gjitha – me imoralitetin e janë mësuar – vetëm për një gjë që mund të ndodhë vërtetë: Zaevi nuk ka gjë kundër përdorimit të shamisë (pse mos kishte Gruevski gjë kundër). A mund të jetë e vërtetë që njeriu i shek. 21 të sakrifikojnë lirinë dhe mirëqenien për një shami? Nëse i analizojmë përkrahësit en masse (jo vetëm ata që s’dijnë të shkruajnë rrjeteve sociale) shohim se shumica janë analfabetë jo vetëm politikisht. Si të tilla është e pamundur ta njohin Kuranin, Islamin dhe gjithë atë sistem të komplikuar oriental. Me këtë manipulojnë edhe të shkolluarit e kësaj lëvizjeje. Ata besojnë se kjo kategori përbën një shumicë solide të shoqërisë shqiptare dhe do të korrin sukses me votën e tyre. Kështu ngase të shkolluarit që besojnë në ideologjinë e islamizimit, respektivisht turqizimit të shqiptarëve të Maqedonisë megjithatë janë të pakët.

ANALIZA
Shikuar nga motivet kryesore se pse kjo apo ajo masë përkrah partitë në fjalë shohim se nuk kemi të bëjmë atje me një shoqëri shqiptare që kërkon të drejtën qytetare, kulturore, sociale, ekonomike, politike për t’u trajtuar e barabartë me tjerët dhe bashkë me ta të ndryshojë diçka, por kemi të bëjmë me materialistë egocentrikë, utilitaristë, oportunistë, analfabetë që keqpërdoren për politikat ekspansioniste të tjerëve dhe një grup pragmatistësh minorë që përpiqen të shpëtojnë diçka çka mund ende për të shpëtuar. Kjo pasqyrë na paraqet de facto jo një shoqëri në luftë për të drejtat e veta por një shumicë të korruptuarish o material o struktural. E me masa të këtilla s’ka primatë idealistë. Këtu duhet të ndodhë ndryshimi: sqarimi i tyre se veprimet që bëjnë i mbajnë peng të një historie të dështuar dhe se duhet jetojnë në shekullin ku gjenden.
Sipas të gjitha informacioneve nga terreni deri më tani duket sikur do të fitojë sërish BDI e ndjekur nga Aleanca për Shqiptarë. Në taborin tjetër Zaevi disponon me gjasat më të forta për të marrë pushtetin. Fitorja e Gruevskit do të ishte edhe më varr për shqiptarët. Politika shqiptarëve megjithatë varret nga aleancat e tyre në mes veti ngase kanë fuqinë të detyrojnë çdo qeveri të ardhshme të bëj atë që duhet – nëse nuk vazhdojnë si deri më tani me eutanazinë e njohur ndaj vetes dhe ndaj vetë shtetit ku jetojnë. Kësaj radhe vërtet duhet të lënë anash të korruptuarit të cilësdo natyrë – madje edhe veten nëse ka nevojë. Ndryshe nuk shkon!    Shkruar nga Xhemal AHMETI!