Pse-ja e perceptimit negativ të shqiptarëve në Perandorinë Osmane


«Karagöz» dhe «Hacivat» janë dy personazhe të mirënjohuna në të ashtuquajtunin teatër me hije. Ai ishte nji improvizim modest ku zhdrivillohej nji shfaqje skenike përmes hijës në mur. Në teatrin osman, «Karagöz» si personazh tipizon fshatarin e pagdhendun, kundruall të cilit qëndron «Hacivat», njeri i edukuem e me finesë elitare.

Në plot prej ktyne shfaqjeve, «Arnavut» (Shqiptari) portretohet si karakter kapricioz, i rrëmbyeshëm, injorant, inatçor dhe kriminel. Po a thue pse për shqiptarët janë rezervue terma të tillë pejorativ nga elitat qytetëse osmane? Fjala bjen, epiteti «Arnavud» përftoi nji konotacion negativ, aq sa i përngjitej çdo personi delikuent (Arnavud Kazim, Arnavud Rahim), krejt ndryshe kur përmendej origjina qytetëse e ndonji funksionari a nëpunësi (psh Selanikli Mustafa ose Gostivarli Ibrahim). Në këtë frymë, edhe nji burokrat osman si Sylejman Penah Efendiu në shek. 18 i përshkruente shqiptarët me ngjyra të errëta si shkatërrimtarë, bandita e të padiciplinuem (sic!). Pse ky imazh i ngritun në gjysmë të vërteta, selektime dhe animozitete?

Përgjigja ma e mirë krijohet kur zhbirohet konteksti politik i kohës. Orientalisti britanik, Frederick Anscombe vëren nji korelacion të pamohueshëm midis stërkeqjes së kushteve politike dhe ekonomike brenda Perandorisë, ku nji numër i madh shqiptarësh për me i pshtue zisë së bukës filluen masivisht me migrue drejt Selanikut dhe Stambollit. Përderisa nji numër i vogël i tyne gjetën punë si zejtarë, barinjë ose hamajë, kusuri tjetër mbeti mozamakeq, aq sa në vitin 1730 ata nisin revolta sociale n’Stamboll. Kjo bani që disa sulltanë me nxjerrë firmane të njipasnjishme me anë të të cilave shqiptarëve u mohohej hymja në kryeqytet. Siç pikas studiuesi grek, Antonis Anastasopoulos, firmane të tilla që kufizonin lëvizjen e lirë kanë qenë të zakonshme, por ajo që bjen në sy në rastin e shqiptarëve asht «përdorimi i nji termi etnik për përcaktimin e nji grupi të deprivuem».

Ky imazh i gënjeshtërt ku shqiptari asocion gjithnji me banditin e kriminelin zanafillon pikënisht nga elitat osmane. Ai do të shpërhapej edhe te nji pjesë e shtegtarëve anglezë, gjermanë e francezë që shkelën Shqipnin’ gjatë shek.19. Aktualizimi i imazheve të tilla do të shpeshtohej me fillimin e antagonizimit serioz prej fundit të shek.18-të, kur shqiptarët krijuen entitetet e tyne proto-shtetnore (Pashallaku i Janinës). Ironia qëndron në faktin se përderisa osmanët shigjetonin me stereotipe të tilla ndaj shqiparëve, perëndimorët kallxonin raste kur pikënisht elitat «mondane»osmane i përdornin në mënyrë qesharake çadrat e shiut. «Ata e mbanin drejt përpara tyre, duke e drejtuar lart kur ishte e mbyllur, dhe anash ose larg kokave të tyre kur ishte e hapur».

Source: © Col Mehmeti

Burimet: Ryan Gingeras, Sorrowful Shores: Violence, Ethnicity, and the End of the Ottoman Empire, 1912-1923, at 125 (Oxford and New York: Oxford University Press, 2009)

Frederick Anscombe, “Albanians and mountain bandits”. In: Anscombe, Frederick (ed.) The Ottoman Balkans, 1750-1830. Princeton, 2006.

Antonis Anastasopoulos, “Albanians in the Eighteenth-Century Ottoman Balkans.” In E. Kolovos (ed.). The Ottoman Empire, the Balkans, the Greek lands. 2007. Božidar Jezernik, Wild Europe: The Balkans in the Gaze of Western Travellers, 2004.


Leave a Reply