Shkruan Xhemal Ahmeti: Liderët që (nuk) i patëm


Çka bënë e çka s’bënë primatët kryesorë të politikës kosovare gjatë vitit 2016?

PSIKOGRAME PRIMATËSH / Pas një analize të primatëve aktualë politikë veç e veç, konstatojmë se të gjithë, respektivisht asnjëri prej tyre nuk gjendet në zenitin e simpatisë tek masat, shoqëria, mediat dhe tek të huajt. Hashim Thaçi ka përjetuar rënie totale në autoritet. Kadri Veseli mezi gjen forca për tu etabluar. Isa Mustafa përfiton autoritet jashtë e tek të huajt, mirëpo as ministrat e vetë nuk duan ta mbrojnë publikisht. Behxhet Pacolli ia ka ftoh keq atij  proverbit që thotë «paraja rrotullon botën», ngase ai nuk arrin as dy mendje t’i gjej që do t’i ndihmonin partisë së tij. Haradinaj ka kohë që i ka hyrë procesit të vetë stabilizimit, pas përdhosjes kur kuptoi të ishte patericë e tjerëve. Limaj dhe Krasniqi u dëmtuan edhe më shumë këtij viti, sidomos pas zbardhjes së disa proceseve të privatizimit dhe vrasjeve gjatë luftës. Mimoza Kusari dhe Ilir Dedaj do të mbeten në kujtesë nëpërmjet fotografisë simpatike që e bënë bashkë në një klub të Prishtinës. Asnjëri prej tyre nuk ia doli të dalë nga ajo fotografi e përbashkët.

 

Çka bënë e çka s’bënë primatët kryesorë të politikës kosovare gjatë vitit 2016?

 

PRESIDENTI –  Nga 7 prilli i këtij viti, kur Hashim Thaçi u zgjodh gatiabortueshëm Kryetar i Republikës së Kosovës, ai mund të shpjegohet vetëm me instrumentet që i ofron Teoria e psikologjisë Reaktante e Brehm-Grabitz e hiç ndryshe. Diagnostika në fjalë thotë se personat e rrezikuar që humbin kontrollin mbi sfera e njerëz të caktuar, të atillët pra që vuajnë nga frika se do t’iu ngushtohet liria e veprimit, rëndësisë në opinion, rëndom u shkaktojnë dëme irreversible atyre që përfaqësojnë. Në rastin e Thaçit dëmet e pariparueshme nuk i shkaktohen vetëm PDK-së, e cila vazhdon gabimisht të identifikohet nëpërmjet tij, por edhe shtetit të Kosovës, president i të cilit është zotëri Thaçi.

 

Dy raste konkrete, të freskëta dhe që i din çdokush na vizatojnë përmasat e afekteve që i shkakton gjendja aktuale e dikur njeriut me shumë pushtet Hashim Thaçi. 1. Konflikti me Edi Ramën =  I frikësuar tejmase se do të mbetet vetëm si kukull ceremoniale kushtetutare, pa ndonjë rëndësi jashtë e brenda dhe duke konsideruar se Edi Rama ia rrezikon ekzistencën politike duke folur me serbët ai ndërseu ghostwriter-ët e tij të nisin një kampanjë marramendëse kundër Tiranës zyrtare. Konflikt i cili kulmoi natyrisht më vonë në betejë reciproke, debate, polemika që mediat ditën t’i materializojnë bukur për të krijuar një komunikim të nevojshëm brenda kulturosferës shqiptare, por që rrezikoi – nga veprimi bazë i presidentit – të detyrojë Shqipërinë të futet në konkurrencë se kush më shpejtë do t’iu nënshtrohet serbëve. Pra siç thotë populli fat që mungoi edhe budallai i dytë në aferën konkrete. 2. Defileja tek Erdogani – Burrështetasit e mençur të zonës perëndimore nuk e vizitojnë tiranin e Bosforit, pa pasur ndonjë zor të madh. E nga pozita e të qenurit kryetar i Kosovës të siguruar e garantuar pikërisht nga perëndimorët nuk shkohet edhe më hiç. Që gabimi të katapultojë edhe në qëllim Hashim Thaçi lëshoi deklaratën më thikë-pas-shpine të mundshme vendit të tij, duke thënë «ata që Turqia i konsideron terroristë edhe në Kosovë janë të tillë». Brenda kronikës së ngjarjeve konkrete, si rresht vazhdues i analizës politike perëndimore kjo deklaratë u perceptua në një frymë me qëndrimin e Erdoganit SHBA-të të jenë terroriste ngase furnizojnë  ISIS dhe forcat kurde e nuk radhiten me të Asadin dhe Putinin. Kështu hyri asistenca e zotëri Thaçit për Erdoganin në analet e analizave perëndimore.

 

Duke u bazuar në këto dy «ndodhi» konkrete dhe plotë tjerë si ato të përuljes para pllakave – edhe pse qëllimmirë e fisnike, por të motivuara nga e njëjta psikozë – ku shkruante «viktima të terrorizmit shiftar» 2016 do të hyjë në histori si ai me presidentit më të dëmshëm që pati vendi ndonjëherë.

 

Prognoza: Nëse Presidenti Thaçi nuk i bënë një radioskopi të sinqertë vetes; nëse ai nuk bënë një staf këshilltarësh abukolikë, joservilë deri në banalitet, nëse ai nuk mbledh rreth vetes njohës dhe ekspertë me dinjitet, ka potencial të shkaktojë dëme edhe më dramatike se sa këto që bëri këtë vit.

 

 KRYEMINISTRI – Kryetari i LDK-së dhe kryeministri i RK është ndoshta figura më përfituese e vitit 2016. Njëkohësisht po e njëjta mund lirisht të konkurroj për në librin e «Guinness»-it për politikanin me postimet më të ulëta në rrejtët sociale.

 

Isa Mustafa riforcoi LDK-në pas një greminosje totale. Ia ktheu një copë dinjiteti shtetit me qëndrimet e tij të prera se si duhet të ecë dialogu me Serbinë në baza reciprociteti të plotë. Ia doli më shumë se partitë tjera të stopojë përhapjen e epidemisë së korrupsionit brenda strukturave të tij. Jashtë, sidomos në BE dhe prezencën ndërkombëtare në vend nuk trajtohet si mercenarë por si partner ndaj «tekave dhe qëndrimeve» të të cilit duhet pasur kujdes.

 

Dy trendet kryesore që shoqëruan Isa Mustafën e vitit 2016 janë; sukseset për Kosovën jashtë dhe bllokimin e Kosovës brenda. Sa më shumë suksese jashtë pati aq më shumë humbje kontrolli mbi partinë e vetë. Sidomos stili i të bërit politik vetëm nga zyrat e tij – anashkalimi i procedurave të rregullta parlament-qeveri – i solli dëm atij dhe qeverisë së Kosovës, duke i prodhuar madje edhe kauza koti dhe stagnuese. Me përvojën e tij të «lashtë» në politikë ka mbështetur për murri partnerin e koalicionit duke mos i lënë pothuaj askund pushtetin vetëm për vete. Paradoksale në hartën e veprimeve dhe sukseseve të tij për partinë mirëpo është fakti se është totalisht i vetmuar me zyrën e tij. Si ministrat ashtu edhe deputetët e tij janë figurat më pasive dhe pangjyrë të politikës kosovare. Jo vetëm që s’i dalin atij në ndihmë, por aktiv bëhen vetëm kur komunikojnë të arriturat e siguruara jo për shkak të zotësisë së tyre, por për shkak të qeverisjes së të parit.

 

Prognoza – sipas të gjitha gjasave jo vetëm këtë vit, por edhe në të ardhshmin Mustafa do të arrijë ta nxjerrë LDK-në si më të padëmtuarën nga sfidat e spektrit politik. Kësaj i ndihmon edhe mendësia e bazës që shumë shpesh nuk e dinë se me kë është dhe si e tillë iu shërben gjitha taborëve të mundshme. Mustafa do ikë në pension si duket me një listë të gjatë suksesesh pse jo edhe në kurriz të tjerëve.

 

KRYTEARI I KUVENDIT– Hipoteka e SHIK-ut i rri si lugat dhe hije kahdo që të sillet. Vitin që mbyllim ishte kryetari më fatkeq i një parlamenti bombash, deplacimesh, retorikash ordinere e më mirë ta mbyllim listën. Strukturat e lidhura ngushtë me Hashim Thaçin sillen si me tapi të më të madhit dhe i bëjnë dëme në realizimin e reformave që thuhet t’i ketë nisur miku më i ngushtë e presidentit aktual. Sidomos synimit të Veselit për t’i pastruar rradhët prej të «njollosurve» i bëhen sabotime nga mendësia zotëruese në parti, e cila beson: se me heqjen e ajkës së vjetër rrezikohen bastionet kryesore dhe si të tillë do kenë pak gjasa ta ruajnë primatin në spektrin politik. Edhe pse shumë i kujdesshëm Veseli nuk jep sinjale se do heq dorë nga reformimi i nisur. Del inteligjent kur ruan konstancën e lidhjeve edhe përtej partisë, për t’i pasur dyert e hapura për çdo koalicion qeverisës dhe nuk nis kampanja «luftarake» si parti më e madhe as atëherë kur zhveshet nga pushteti prej partnerit gjithandej strukturave të qeverisë.

 

Se perceptimi në masë sikur Thaçi të jetë «boss» – i PDK-së nuk zbehet fare as pas 7 prillit ka të bëjë edhe me paguximin e Veselit për t’u kollitur në parti e publikisht. Herë pas herë del për të korrigjuar opinionet që i shkakton Thaçi nga gjendja e tij, mirëpo më shumë jo. Sjellje kjo që i shkaktoi dëme të mëdha jo vetëm atij por edhe partisë nëse nuk mbyllet me këtë ditë të fundit të këtij viti. Rolin që Veseli luajti gjatë vitit 2016 ishte ndoshta qetësues, stabilizues por jo efektiv,

 

Prognoza: Kadri Veseli ka potenciale më të mëdha se Thaçi i sotëm për ta rikthyer partinë e «prontove» në një korrekte, moderne dhe me aspirata legjitime për pushtet. Se a do t’ia dalë varret nga mënyra se si zëvendëson strukturat e ardhshme të partisë.

 

ALBIN KURTI – LVV është tkurrur rëndë. Jo vetëm për shkak të bazave por sidomos në perceptimin e masave. Pas ushtrimit të politikës se gazit, të sulmeve dhe së fundi atë të «keqpërdorimit të tragjedisë së shuarjes së Astrit Deharit» dhe familjes së tij, siç duket ka humbur shumë respekt jo vetëm në shoqëri dosido por edhe ndaj vetvetes si parti me gjasa emancipimi brenda një demokracie pluraliste. I padëmtuar nga gjitha beson të ketë dalë Albin Kurti. Kështu mund të ndihet ngase nuk pati asnjë gram pushtet brenda lëvizjes. Vetëm Visar Imeri mund t’ia kalojë për nga parëndësia dhe pa ndikimi. Organizata u udhëhoq totalisht nënshtrueshëm nga grupi i operativëve (Dardan Molliqaj), ideologëve (Mihali, Hoxha, Ferraj & Co.) dhe falangave të dy të parave që funksionojnë si grupe virtuale, ekstrafetare, të dhunës e të militimit rrugëve. Me gjithë përkushtimin së paku për t’i dalë hak autoritetit të idolit që ka për kategori të caktuara të shoqërisë këtë vit duhet ta shënojë si më të dobëtin e tij.

 

Prognoza: Edhe po u përpoq të rikthehet do të mund ta bëjë pa aurën e «shpëtimtarit» të kombit dhe kozmosit shqiptar. Do t’i duhet një punë shumë e madhe për t’u etabluar ndryshe dhe pa hijet e dëmeve që ia shkaktuan grupet e sipërpërmendura.

 

 RAMUSH HARADINAJ – Si duket tejkaloi krizën. Rigjeti veten. Kriza e tij, e cila u kurorëzua  me vetëshpalljen kryeministër ishte rezultat i vetëzbulimit të jetë përdorur si patericë nga të gjithë primatët tjerë si Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti. Stabilizimi vjen gradualisht. Sidomos muajve të fundit ka nisur të rikthejë atë figurën e pjekur që ia njohëm menjëherë pas mbërritjes nga Haga por me një dallim: sot duket njëherë se nuk lejon të keqpërdorët nga aleatët e mundshëm. Kauzat kote që i trashëgoi nga koha e të qenurit asistencë e tjerëve do t’ia mbyllin megjithatë këtë vit. Me gjitha problemet Haradinaj mbetet një alternativë në vete si konkurrencë e çdokujt. Fatkeqësia e tij janë ata që e rrethojnë, jo si të korruptuar por si të papërgatitur për ngritjen e partisë ndër dy të parat. Përkundrazi janë pasivizuar faktorë me potenciale të mëdha dhe janë afruar aversioneprodhuesish. Gjë që do t’i kushtoje partisë në zgjedhjet e ardhshme.

 

Prognoza: Haradinaj do të mbetet njëri ndër liderët kryesorë të vendit. Suksesi i tij varret nga mbështetësit e afërt dhe nga strategjia e tij e ardhshme, jo programatike, që e ka ndër më të qartat, por nga ajo e masivizimit të vetes si alternativë me potencial.

 

FATMIR LIMAJ – Përkundër qëndrimeve ndër më korrektet, më të qartat dhe më të artikuluarat NISMA dhe Limaj nuk e çajnë murrin përtej enklavave të rezultuara nga përçarja e madhe e «krahut të luftës» në dysh. Si çdo lëvizje e mbirë nga përçarjet edhe kjo fatin e ka shumë fragjil. Të qenurit banor i përhershëm gjykimesh maratonike donë të thotë të humbësh për çdo seancë simpatinë e mijërave të shoqërisë plus. Gjatë vitit që lamë madje u kristalizuan edhe dy argumente që flasin kundër së ardhmes së Limajt, Krasniqit dhe partisë në fjalë: u etabluan si perceptime të mbyllura: 1. Pjesëmarrja korruptive e Limajt në shitjen e pronave kosovare (në dëm të vendit) për shifra simbolike të huajve dhe  oligarkëve të paskrupullt vendorë dhe 2. Nuk ka reaguar gjatë ekzekutimit të njerëzve të pafajshëm në luftën e fundit. Me këto dy hipoteka dhe me shtëpi të mbaruara nga SHIK-u nuk bëhen liderët.

 

Prognoza: Sa më shumë të ketë sukses Kadri Veseli aq më shumë do të minimizohet partia e dy liderëve Limaj – Krasniqi. Ose bëhen të suksesshëm duke zbuluar ndonjë strategji gjeniale të përhapjes në shoqëri si alternativë që mund t’u falet shumëçka.

 

BEHXHET PACOLLI – Proverbi «paraja rrotullon botën» nuk vlen për Behxhet Pacollin. Më shumë nuk ndez ajo për shkak se rreth vetes i ndodhin gjithmonë njerëz që lere se nuk kanë fije vizioni personal, por edhe shkëlqejnë paaftësia për të transmetuar diçka që do t’ia nxiste habinë apo kureshtjen shoqërisë. Sipas kronikës së vetë partisë gjatë këtij viti megjithatë shihet një rimobilizim forcash të reja e të vjetra, por jo mjaftueshëm sa për të konstatuar se mund të paraqes një forcë me potencialin e ecjes vertikale drejt vendeve të para të politikës kosovare. E çuditshme kjo sidomos për shkak se Pacolli përveç mjeteve materiale për sigurimin e aktiviteteve dhe marketingut edhe programin e ka ndër më të mirët. Një segment pozitiv për këtë vit ka shënuar partia edhe me distancimin prej tashmë eksponentëve të diskredituar esktrareligjioz që e asocionin partinë me skenarë të tmerrshëm e që ndodhën.

 

Prognoza – Partia ende nuk ka në vete njerëz që do të mundësonin ndonjë prognozë ngjitjeje. Nisur nga ky ansambël njerëzish e fuqish do të vazhdojë si një klub interesant por jo më shumë. Dhe po të ndodhnin zgjedhjet gjashtë muajve të vitit që vjen sërish nuk do ta fusnin këmbën në parlament.

 

ALTERNATIVAQë nuk ishte e as doli kurrë përtej fotografisë së Mimoza Kusarit me Ilir Dedën në një kafeteri të Prishtinës. Paralajmërimet se do shpallen dhe nuk u shpallën kurrë, së paku jo si duhet nga opinioni i perceptua vulshëm në fund si tallje me ta. Dikur edhe po t’i ngjiteshin edhe figurat më të zota të shoqërisë nuk bënte punë më. Nuk do të bëj punë as nesër. Përveç kësaj dyliderizmi i supozuar nuk u kap si freski dhe alternativë, por më shumë si ide e dy funksionarëve që madje shkelën sidomos mbi ata që i ndihmuan për tu bërë. Këtë nuk e gëlltit dot fyti i mendësisë shqiptare si diçka normale – pra të mbledhësh përvojë gjithandej dhe pastaj të përpiqesh udhën tënde të mëtutjeshme ta bësh duke i nënçmuar ata ku ishe. Si Mimoza Kusari ashtu edhe Ilir Deda nuk arritën të dëshmojnë se mund të bëhen liderë nga fuqia e vetes.

 

Prognoza: Do të harrohet shpejtë. Dhe dy protagonistë ose kërkojnë strehim në formacione tjera o rrinë si për inat të izoluar brenda idesë së tyre pa ndonjë relevancë politike, shoqërore. 

 

Nëse kjo analizë kështu siç është pranohet si e argumentuar, atëherë implikohet një kërkesë: në kushte të këtilla, ku të gjithë liderët perceptohen si të rënë, të lëndueshëm, të dështuar, me potencial por vetëm nëse, dalja në skenë e figurave të reja me një opsion serioz mund të ngjitej fare lehtë drejt treshes së parë. Kështu siç është tash gjendja, pa liderë, demokracia pluraliste vërtet mund të nis për së dyti dhe nga e mbara.

Source: gazetaexpress.com

 


Leave a Reply