Shkupi ose kërthiza e «Shqipënisë së Sipërme»


Shumë më herët sesa në publicistikën serbe të sajoheshin terma të tillë si ‘Serbi jugore’ apo edhe ‘Maqedoni’ për tokat në luginën e Vardarit, termi ‘Shqipëni e Sipërme’ përdorej natyrshëm për t’i përshkruar këto troje.

Në gazetën e përjavshme ‘Shkupi’, që drejtohej nga patrioti dibran Jashar Erebara (1873-1953), jepeshin të dhëna të vlefshme për historinë e këtyre trevave lindore të Shqipërisë, shkruan Konica.al.

Si themelues i Klubit Shqiptar të Kumanovës më 1909 dhe aktivist i palodhur i çështjes shqiptare, ai jep edhe një njoftim mjaft interesant për një ndër qytetet më të mëdha në vilajetet shqiptare, siç ishte asokohe Shkupi.

Në një artikull për lumin Vardar, që buron nga malësia e Gostivarit dhe derdhet në detin Egje, Erebara shkruante:

«Vardari zgjatet afër 300 km, është lum’ i madh e i ngjum në Shqipëni të Sipërme, ashtu shum qytete dhe fusha të Shqipnisë i lagën e i përshkon, dhe sidomos Shkupinë kërthinzën e Gegnisë politike e çan përgjysmë.

Në venecjan, historik tani 400 vjet para, kur ka pasë kapërcye nëpër Shkupë, për Jeni-Pazar, në një udhëtim të vet qi pat shkru ka shënu dhe ay Vardarin me kët’ emën të sotëm, dhe shton këto fjalë: në Shkupë gjuha e parë dhe të cilën e flasin gjithë Shkupi e Kazaja është gjuha shkipe. Në Jeni-Pazar, thotë, se aty vendësit flasin dy gjuha: shqipe e serbishte. Ja kjo është një biografi e vogël e kti lumit të ndëgjum në Shqipni të Sipërme».

(Shkupi 1911, 86) – Konica


Leave a Reply