Zgjedhjet, interesi kombëtar, Milikija dhe “BESA”!


Shkruan: Besir Bajrami

Nuk shkruaj për politikën ditore, por kur nëpermjet saj cenohet interesi kombëtar, mendoj se të gjithë duhet të jemi më vigjilent. Me 15 tetor përfundoji xhirroja e parë e zgjedhjeve lokale në Maqedoni dhe në raport me rezultatet, është momenti kur Lëvizjes Besa së Bilall Kasamit dhe Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, ju duhet një bashkëpunim i ndërsjelltë për të fituar komunat ku këto parti veç-e-veç janë në balotazh me BDI-n e Ali Ahmetit. Për ta parë këtë mundësi bashkëpunimi nga këndveshtrimi i interesit kombëtar, mund të lexoni nëntillullin në vijim, pasi të parafrazoj gjendjen faktike që këto zgjedhje i prodhuan (*1).

• BDI dhe BESA në xhirron e dytë do të garojnë në 7 komuna: Tetovë (qendër), Tearcë (e ndarë nga komuna e Tetovës), Zhelinë (e ndarë nga komuna e Tetovës), Likovë (e ndarë nga komuna e Kumanovës), Saraj (i ndarë nga komuna e Shkupit), Çair (i ndarë nga komuna e Shkupit), dhe vetëm në Studeniçan (i ndarë nga Shkupi), Besa do të garoj me PDSH;

• BDI dhe Aleanca për Shqiptarët në xhirron e dytë do të garojnë në 5 komuna: Gostivar (qendër), Vrapçisht (i ndarë nga komuna e Gostivarit), Bogovinë (e ndarë nga komuna e Tetovës), Dibër dhe Strugë;

• BDI në balotazh me sllavët, konkretisht me LSDM, është në komunën e Dollnenit (e ndarë nga komuna e Prilepit). Kurse në Kërçovë, në Haraçinë (e ndarë nga komuna e Shkupit) dhe në komunën e vogel të Plasnicës, BDI prinë para sllavëve të LSDM-së dhe nuk ka nevojë për balotazh.

Rezultati i zgjedhjeve në raport me interesin kombëtar:

• Pa marr parasysh ndarjet partiake, BDI duhet të votohet nga shqiptarët në komunën e Dollnenit. Është hera e parë që për hirë të qëndrueshmërisë së shqiptarëve të Dollnenit, në Maqedoninë qendrore në mes Prilepit, Velesit dhe Shkupit, shqiptarët kanë marr numrin më të madh të votave në krahasim me sllavët.

Harta e komunës se Dollnenit, e shënjuar me të bardhë

Aty ngjitur është edhe komuna e Çashkës, ku kanë mbijetuar shqiptar, por ata ende vazhdojnë të votojnë për partitë sllave. Kjo trevë mund të krijoj lidhshmëri territoriale shqiptare me Studeniçanin në jug të Shkupit, dhe me Plasnicën e shqiptarëve të Krushevës në perëndim. (*2) Nëse një plan i mirëfilltë kombëtar do të hartohej nga Tirana zyrtare, e cila e ka për detyrë kushtetuese që në preambulë për tu kujdesur për shqiptarët autokton, të ndarë dhunshëm nga shteti-komb shqiptar, atëherë duhet që së paku të bëj investime për të gjallëruar ekonominë, arsimin dhe kulturën e kësaj treve, si një parakusht që këta njerëz të mos tkurren më në brendësi të territorit shqiptar, apo të mos asimilohen aty ku mbijetojnë sot. Në vazhdën e kësaj, decentralizimi i komunave në Maqedoni, pas marrveshjes së Ohërit në vitin 2001, u bë me ndërkembëza e komplote, mjafton të përmendim heqjen e Haraçinës dhe Studeniçanit nga territori i Shkupit, dy treva të banuara kryesisht me shqiptar, në mënyrë që të pakësohet numri i shqiptarëve në kryeqytet; apo Çairin, komuna shqiptare brenda Shkupit, me territorin më të vogël (si komunë) në Europë në raport me numrin e popullsisë, ku 64,773 banorë jetojnë në 3.52 km2, apo 18,400 banorë për km2.

Harta e komunes së Çairit në Shkup, e shenjuar me të bardhë.

Në perendim kemi Mavroven, një komunë me një territor shumë të madh, por me një popullsi sllave aq sa ka një katund i zakonshëm shqiptar. Më poshtë në jug kemi krijimin e komunës sllave të Debërcës, ngjitur me Strugën, poashtu me nje popullsi sa një katund i zakonshëm shqiptar, por me nje territor aq sa komuna e Strugës, duke e ngushtuar territorin e Strugës dhe duke ja marr edhe aeroportin në brendësi të saj. Krijimi i komunave sllave te mëdha për nga territori, por të vogla për nga numri i banorëve, është edhe në rastin e Jegunovcës dhe Çuçer – Sandevës, që janë krijuar për të patur sa më shumë që është e mundur në kontrollë kufirin me Kosoven. E gjithë fuqia institucionale dhe kombëtare e shqiptarëve në përgjithësi, duhet të përqendrohet në kufirin etnik të shqiptarëve me sllavët, ku duhet të bëhet jeta më e mirë dhe më terheqese për vet shqiptarët në ato territore, që të ekzistoj mundësia për ta ndaluar tkurrjen e mëtejshme të etnisë sonë, e jo të vazhdojmë të centralizohemi sa më në brendësi të vendit, duke i lënë në mëshirë të sllavëve treva si këto në Maqedoninë qendrore, apo ato shqiptar që mbijetojnë përreth Shkupit deri në Veles. Kjo do të mund të arrihet kur shqiptarët do të jenë të vetëdijesuar kombëtarisht dhe dë ta mendojnë kombin si një familje, atëherë edhe udheheqësit tanë do të kishin një mendësi të tillë progresive në raport me interesat kombëtare, ateherë edhe korrupsioni do të ulej, përderisa familja, në këtë rast shteti, nuk vidhet dhe nuk shitet.

• Si pasoj e keqpërdorimit të nacionalizmit shqiptar nga partitë shqiptare të pasluftës, apo nga individ të korruptuar dhe të pa vetëdijesuar kombëtarisht, shqipfolësit janë tjetërsuar derisa kanë nisur të votojnë partitë sllave, për të përfituar në rafshin social e ekonomik, madje edhe janë bëre pjesë aktive në këto parti. Një dukuri e këtillë, që shqiptaret e shkëputur nga ndjenja kombëtare, të degraduar vetëm në shqipfolës, u benë pjesë aktive e partive sllave, nisi që në vitin e kaluar në zgjedhjet parlamentare. Filimisht Muki (një gazetar shqipfolës “pa kurriz” dhe aspak profesional, një herë i ndikuar nga interesat e Turqisë mbi shqiptarët, e më pas edhe nga sllavët), tani “Milikija” (Milikije Halimi), që u bë personazh humoristik nëpër media për nivelin e saj të ulët të inteligjencës (*3), është kandidatja shqipfolëse e partisë sllave LSDM, për komunën shqiptare të Haraçinës. Për të qenë gjendja ende më tragji-komike, ajo morri numrin më të madh të votave në këtë komunë, ku ironikisht në vitin 2001 u zhvillua një nga betejat më të njohura ndërmjet sllavëve dhe UÇK-së shumë afër Shkupit. Dikur kishim nivelin e Arbër Xhaferrit në politikë, i cili i mëshonte zgjidhjes së problemeve kombëtare, në kuadër të së cilës do të rregulloheshin edhe problemet sociale e ekonomike; e sot kemi Milikijen në politikë, që i mëshon zgjidhjes së problemeve sociale e ekonomike, duke i anashkaluar ato kombëtare.

• Degradimi i ndjenjës kombëtare në nivelin e një shqipfolësi për t’u bërë pjesë e partive sllave, nuk ishte e vetmja pasoj nga keqpërdorimi i nacionalizmit shqiptar te partitë shqiptare të deritanishme. Ne vitin 2014 doli në skenë Lëvizja Besa! Që nga dalja e saj në opinion, ata kishin mundësi financiare të kenë gazetën e tyre, gazetën Shenja, televizionin e tyre, TV Shenja, morrën me qira apo ndërtuan objekte shumë luksoze për t’i bërë si zyra apo si seli të degëve të tyre nëper qytete, vetura të shtrenjta dhe fushata të shtrenjta të marketingut. Ata kishin mundësi financiare edhe më shumë se partitë shqiptare që kishin vjedhur disa vite resht në pushtet. Natyrshëm, shumë njerëz dyshuan në burimin e tyre të financimit, derisa vazhdimisht qartësohej se ky burim vinte nga qendra islamike lindore (*4)

Në platformën e tyre politike prej 15 faqeve, 16 herë perdoret termi religjion (apo religjioze) dhe 6 herë tjera termi fe apo fetar. Kurse në programin që shpalosën në zgjedhjet e para qe morrën pjesë, nëpermjet keqpërdorimit të nacionalizmit shqiptar, mbjellin edhe mendësi fetare në program politik (*5). Për shembull, që në faqen 17 përmendet si frymëzim edhe organizata politike e shqiptarëve musliman “xhemijet”, menjëherë më pas në faqen 21 për heretikët përdoret edhe termi arabo-islamik Murted, po aty permendet shehadeti, pagëzimi, e besës si term i jepet nje konotacion fetar, ashtu siç përdorej në fakt në kohën e rilindasve, që perveç fjalës së dhënë, besë nënkuptonte edhe fe. Edhe kjo Lëvizje me këtë emër, nuk nënkupton kontekstin e Besës si fjalë e dhënë, por nënkupton Besën si Fe, më saktë fenë në politikë. Pra, është nje gërshetim dinak i religjionit ne politik.

Nuk ka nevojë të lexohet i gjithë programi formal i kësaj lëvizje, mjafton të kuptohet piknisja e saj, duke u shërbyer me arsyetimin deduktiv, apo rezultatin e përgjithshëm të një ndikimi, dhe arsyetimin induktiv, apo përcaktimin e veçantë të burimit të këtij ndikimi. Keshtu ne mund të identifikojmë burimin e infiltrimeve të qendrave të ndryshme të ndikimit rajonal dhe global në vendin tonë, që për qëllime të veta gjeostrategjike dhe pseudo-nacionale përtej kufijve te vet, kanë infiltruar agjendat e tyre nëpermjet një mjeti global manipulues siç është opinioni i ri publik për religjionin, dhe raportin e tij me ndjenjën kombëtare, që shifet si pengesë gjatë procesit të manipulimit dhe përvetesimit mbi një komb tjetër. Jo rastësisht, njerëzit që e kanë tejkaluar problemin kombëtar të shqiptarëve pa e zgjidhur atë dhe vetidentifikohen parasegjithash me identitetin fetar, njerëzit që janë në gjendje të mohojnë një shqiptar të krishter apo të pa fe, për një vëlla musliman, pikërisht këta njerëz janë tubuar përreth Lëvizjes Besa dhe bëjnë bazën e kësaj partije. Të tjerët që mund të mos identifikohen si musliman praktikant, por janë votues të tyre, nuk janë gje tjetër veç se mish për top drejtë qëllimit anti-kombëtar të kësaj lëvizje (partije).

Është hipokrizi dhe mashtrim ndaj popullit, që disa shqipfolës musliman praktikant, aktivizohen nëpër kësisoj partish politike me emra shqip dhe e gënjejnë popullin se angazhohen për të mirën e kombit (kujdes: kombit si krijesë politike e pas shekullit 18, që nuk është formuar konform rregullave dhe ligjeve kuranore). Kjo është një hipokrizi që duhet të del në pah. Ata mund të thonë se ne angazhohemi për të mirën e etnisë dhe si qëllim final e kemi një Kalifat (shumetnik ku mbizotron Islami), por e vërteta është se feja Islame ata nuk i lejon të angazhohen në të mirë të kombit (si nocion politik që nuk bazohet në Islam (*6). Prandaj, edhe pse na kanë zhgënjyer partitë shqiptare duke keqperdorë nacionalizmin për të përfituar personalisht, edhe pse gjendja sociale, ekonomike dhe ajo kombëtare në përgjithësi është shumë e vështirë, edhe pse kufiri etnik i joni vazhdon të tkurret si gjithmonë, megjithatë, votimi i Lëvizjes Besa do ta asgjësonte në tërësi vullnetin dhe shpresën se ndonjëherë çështja kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë do të zgjidhet, sepse për herë të parë në politikën shqiptare që nga koha e rilindjes kombëtare, do të faktohej Islami politik, që nuk mund të bashkjetoj me qëllimin e kombit-shtet (*6), që i kanë vënë vetes për detyrë nacionalistët shqiptar. Me votimin e Lëvizjes Besa, bëhemi haptazi me vullnetin tonë demoktratik, instrument i një poli lindor gjeostrategjik, që mohon ekzistencën e kombeve në tërësi, apo i kundërshton ato gradualisht, dhe si qëllim final e kanë një shtet musliman të përbashkët, apo Kalifat dhe degradimin e ndnjenjës politike të kombit, në etni. Sepse vetëm etnija, e jo kombi (shteti kombëtar), ka vend në një shtet të përbashkët islamik.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami (para se të ekzistoj kjo parti), duke e ndjekur rruges me adhurim aktorin turk në Tetovë

Nuk është hera e parë që infiltrime të huaja instrumentalizojnë partitë tona politike. Te ne kanë patur ndikim edhe faktorët armiqësorë sllav e grek, por ata shqiptar të shitur te ta nuk kanë patur guxim të dalin hapur për të shprehur me krenari tradhëtinë që bëjnë, por janë munduar ta fshehin atë. Për ta kuptuar se sa poshtë ka rënë nacionalizmi shqiptar në shoqërinë tonë, tregues më i mirë është se për herë të parë në historinë tonë pas rilindjes kombëtare, dalin njerëz që hapur pranojnë se ndihmohen, financohen dhe bazohen në interesin gjeostrategjik lindor, madje krenohen me të, dhe në kuadër të atij interesi, e shohin edhe zgjidhjen e problemeve sociale e ekonomike, duke flijuar ndjenjën kombëtare në tërësi, duke e paraqitur si një çështje të kaluar e regresive. Kjo tregon se masa shqiptare nuk reagon më ndaj atyre që e mohojnë interesin kombëtar. Shqiptari sot kërkon vetëm të mbijetoj si individ, apo si familje. Nuk ka ndjenjë kombëtare, nuk e shikon kombin si një familje. Jemi më keq se para kohës së rilindjes kombëtare. Ky pra, është çmimi që paguajnë shqiptarët sot, për shkak të djeg’jes së kartës së luftës kombëtare duke mos arritur shtet kombëtar, dhe për shkak të korrupsionit të partive politike të pasluftes, që vazhdonin të kerkojnë fuqi nga populli në emer të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Nëse partitë politike shqiptare sot në Maqedoni, ashtu siç janë të degraduara, do të lidhin ndonjë far marrëveshje politike më këtë levizje anti-kombëtare, ashtu siç e ka mundesinë tani Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Seles, vetëm se do ta faktorizoj dhe do t’i jep rrënjë të përhershme të keqes më të madhe të shqiptareve që ja kanë bërë vetes, që pas kohës së rilindjes kombëtare, dhe vetëm për këtë do të mbaheni mend.


Leave a Reply